Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një dalje për mediat ka komentuar protestën e zhvilluar një natë më parë në kryeqytet, duke e cilësuar atë si një moment të rëndësishëm për opozitën dhe qytetarët.
Berisha theksoi se 22 marsi përfaqëson një ditë simbolike për demokracinë, ndërsa sipas tij, protesta ka treguar forcën dhe vendosmërinë e qytetarëve përballë qeverisë.
“22 mars dita e parë e demokracisë me demonstratën e fuqishme, shqiptarët dje treguan se janë të pamposhtur nga kjo narko-diktaturë,” u shpreh ai.
Ai shtoi se mobilizimi i qytetarëve ka qenë në nivele të larta dhe se reagimi ka pasur jehonë edhe jashtë vendit. “Kurrë ndonjëherë kryengritja nuk ka qenë më e fuqishme se dje në rrugët e Tiranës,” deklaroi Berisha.
Duke folur për vijimësinë e aksionit opozitar, ai paralajmëroi për përshkallëzim të protestave në të gjithë vendin.
“Beteja jonë do njohë vetëm ngjitje dhe do të përfshijë të gjithë Shqipërinë dhe do të jetë e pandërprerë deri në largimin e kësaj organizate me në krye Edi Raman,” tha ai.
Deklaratat e Berishës vijnë pas një proteste të tensionuar në Tiranë, e shoqëruar me përplasje mes protestuesve dhe policisë, ndërsa opozita ka paralajmëruar vijimin e aksioneve në ditët në vijim.
