
Policia e Shtetit ka marrë masa të posaçme për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë tubimit që pritet të zhvillohet sot në orën 18:00 përpara Kryeministrisë në Tiranë.
Në zbatim të ligjit “Për tubimet”, autoritetet kanë vendosur kufizime në qarkullimin e automjeteve në disa akse kryesore të kryeqytetit. Konkretisht, nga ora 09:30 deri në përfundim të tubimit do të bllokohet bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga Ura deri në kryqëzimin me rrugën “Ismail Qemali”.
Ndërkohë, nga ora 15:00 e në vijim, do të kufizohet qarkullimi edhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”. Sipas policisë, në varësi të situatës, mund të ketë kufizime edhe në akse të tjera rrugore.
Për të shmangur trafikun dhe bllokimet, është parashikuar devijimi i qarkullimit në rrugë alternative, ndërsa qytetarëve u bëhet thirrje të tregojnë mirëkuptim për këto masa të përkohshme.
Policia apelon gjithashtu që gjatë zhvillimit të tubimit të ruhet rendi dhe siguria publike, duke shmangur çdo veprim që mund të krijojë incidente.