Vendosni fjalën kyçe....

SPAK godet grupin kriminal në Vlorë, 8 masa “arrest në burg” për trafik droge dhe vrasje



Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka goditur një grup të strukturuar kriminal me bazë në Vlorë, i dyshuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, vrasje dhe pastrim parash.

Hetimet janë zhvilluar në kuadër të procedimit penal nr.152 të vitit 2022 dhe janë bazuar në komunikimet e koduara në aplikacionin SkyECC, si dhe në veprime të tjera hetimore.

Sipas SPAK, grupi kriminal ka qenë i përfshirë në disa krime të rënda, përfshirë trafikimin ndërkombëtar të drogës, krime kundër personit dhe pastrimin e produkteve të veprës penale. Pas kërkesës së prokurorisë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për 8 shtetas shqiptarë.

Masat janë ekzekutuar nga Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore. Deri më tani janë arrestuar tre persona, një prej të cilëve ndodhet në Zvicër, ndërsa vijon puna për kapjen e pesë të tjerëve.

Ndër personat për të cilët është ekzekutuar masa e sigurisë është edhe një oficer policie, i dyshuar se ka ndihmuar aktivitetin kriminal duke siguruar logjistikë për transportin e drogës, duke nxjerrë informacione konfidenciale dhe duke përdorur në mënyrë të paligjshme sistemin TIMS.

Nga hetimet janë dokumentuar edhe disa ngjarje kriminale, përfshirë vrasjen me paramendim të Gentjan Qarrit më 6 shkurt 2021 në Vlorë, si dhe përgatitjet për ekzekutimin e një tjetër personi në qytet.

Po ashtu janë zbardhur disa raste të trafikut ndërkombëtar të drogës, ku janë sekuestruar sasi të mëdha kokaine dhe kanabisi në vende të ndryshme të Europës. Mes tyre përfshihen 750 kilogramë kokainë të sekuestruara në portin e Roterdamit në Holandë, 14 kilogramë kokainë të kapura në Patra të Greqisë, si dhe 400 kilogramë kokainë të sekuestruara në Gjermani.

Gjithashtu, gjatë hetimeve janë dokumentuar edhe sekuestrime të mëdha të kanabisit, përfshirë 227 kilogramë të kapura në pikën doganore Ipsala në Turqi dhe rreth 500 kilogramë në vendkalimin kufitar Bogorodicë në Maqedoninë e Veriut.

Operacioni është realizuar në bashkëpunim me agjenci ndërkombëtare si Europol, Eurojust dhe DEA amerikane.

Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë grup.