Takimi mes Lumir Abdixhikut dhe Albin Kurtit përfundoi pa asnjë marrëveshje për postin e presidentit të Kosovë. Kreu i LDK-së doli nga Kuvendi dhe e tha troç: nuk ka konsensus.
“S’kishte emra, s’kishte propozime, s’kishte vullnet për konsensus. Imponimet nuk janë zgjidhje për LDK-në”, deklaroi Abdixhiku para mediave. Ai shtoi se është i hapur për një takim tjetër, nëse kjo do të sillte rezultat, por u shpreh skeptik për idenë që secila parti të shkojë në seancë me kandidatin e vet.
“Për garë, LDK-ja nuk ka zgjidhje. Ajo procedurë është e paraparë për të dështuar”, tha ai, duke paralajmëruar se një skenar i tillë do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të reja.
Abdixhiku nuk komentoi për emrat që po përmenden, por theksoi se LDK-ja nuk do të mbështesë figura që do të funksiononin si “zgjatim i qeverisë”.
Megjithatë, i pyetur nga gazetarët, ai la të hapur mundësinë e mbështetjes për Vjosa Osmani ndonëse theksoi se “një emër i tillë nuk është prezent ”.
“Në këtë fazë nuk kemi qëndrime refuzuese ndaj askujt, e aq më pak ndaj Vjosa Osmanit. Nuk është kërkuar vota për Vjosa Osmanin, prandaj s’mund të flas”, deklaroi Abdixhiku.
Edhe Kurti, para takimit, shmangu emrat konkretë dhe u mjaftua me një fjali: “Duhet dikush që i siguron 80 vota”. Më herët ai pat përmendur Murat Jasharin si figurë të përshtatshme, por vetë Jashari tha se nuk ka ambicie për këtë post.
Nga ana tjetër presidentja aktuale, Vjosa Osmani, ka shprehur dëshirën për një mandat të dytë, ndërsa opozita e ka kritikuar për njëanshmëri në favor të qeverisë.
Sipas Kushtetutës, një kandidat për president duhet të mbështetet nga të paktën 30 deputetë për t’u propozuar. Për t’u zgjedhur, duhen 80 vota në dy raundet e para ose 61 në të tretin. Nëse Kuvendi dështon brenda afateve, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.
