
Policia e Pogradecit ka finalizuar operacionin e koduar “The last fire”, duke zbardhur dy raste të djegieve të qëllimshme të automjeteve të ndodhura në qytet, njëra më 28.12.2025 dhe tjetra më 26.02.2026.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, pas hetimeve intensive, kanë identifikuar dhe vënë para përgjegjësisë ligjore personat e dyshuar.
Si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale, u arrestua shtetasi J. T., 38 vjeç, ndërsa u shpall në kërkim porositësi i dyshuar, shtetasi E. F., 38 vjeç, banues në Korçë.
Sipas policisë, dy 38-vjeçarët, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë organizuar dhe kryer djegien e dy automjeteve në lagjen nr. 1 të Pogradecit, në pronësi të shtetasve A. M. dhe E. M., në periudha të ndryshme kohore.
Në kuadër të hetimeve, materialet u referuan në Prokurori dhe nisi procedimi penal edhe për shtetasin J. L., 21 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme, ndërsa vijon puna për kapjen e personit të shpallur në kërkim.