
Kryeministri Edi Rama ka komentuar valën e fundit të shkarkimeve në qeveri gjatë podcastit të tij “Flasim”, duke u ndalur veçanërisht te largimi i ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, për të cilën Prokuroria e Posaçme ka kërkuar arrestimin.
Rama bëri të ditur se në mbledhjen e zgjeruar mujore të grupit parlamentar të Partisë Socialiste ka diskutuar raportin mes politikës dhe drejtësisë, duke e cilësuar këtë fazë si një periudhë me arritje pozitive, por që sipas tij kërkon ende adresim të mëtejshëm.
“Po aty ndava me deputetët edhe planin e ndryshimeve në qeveri, të cilat janë pjesë e një qasjeje të re për të cilën kam folur që në fjalën drejtuar Asamblesë Kombëtare në nisje të këtij mandati”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë krahasoi ndryshimet në kabinet me lëvizjet në një skuadër sportive, duke theksuar nevojën për riformatim dhe përshtatje të vazhdueshme.
Sipas tij, ndryshimet ishin të parapara, por theksoi se në rrethana të tjera Belinda Balluku nuk do të ishte larguar nga detyra, duke i cilësuar rezultatet e saj në punë si “të jashtëzakonshme”.
“Natyrisht që nëse rrethanat do të ishin ndryshe, nuk do të kishte ndryshuar për shkak të rezultateve të jashtëzakonshme në punë”, deklaroi Rama.
Ai shtoi se për çështjen në fjalë ka folur shkurtimisht në mbledhjen e grupit, ndërsa paralajmëroi se do të japë një qëndrim më të detajuar pasi të shqyrtojë raportin e Këshillit të Mandateve.