
Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti, ka denoncuar sot në një konferencë për media një “situatë alarmante” në punën e institucionit. Teliti thotë se për 32 muaj nuk funksionon Komisioni Financiar, nuk zhvillohen konsultime publike dhe vendimet po merren në mënyrë të fshehtë, në dëm të qytetarëve.
“Sot denoncoj bllokimin abuziv të punëve në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Prej korrikut 2023, nuk bëhen konsultime publike për projekt-aktet që prekin drejtpërdrejt qytetarët, materialet shpallen vetëm pak ditë para mbledhjes, dhe Komisioni i Brendshëm Financiar nuk është ngritur ende. Kjo pamundëson monitorimin e zbatimit të buxhetit dhe cenon transparencën”, tha Teliti.
Ai shtoi se mazhoranca socialiste po interpreton rregulloren sipas interesit politik, duke bllokuar shqyrtimin e çështjeve të rëndësishme për qytetarët si furnizimi me ujë, mjedisi, trafiku, hapësirat publike dhe ndërtimet pa kriter.
“Ky nuk është konflikt politik, por deformim i funksionimit normal të demokracisë vendore. Është përqendrim abuziv i pushtetit në kurriz të transparencës, llogaridhënies dhe zhvillimit”, tha Teliti, duke i bërë thirrje këshilltarëve socialistë që të heqin dorë nga shkeljet e ligjit dhe të respektojnë qytetarët.
Teliti nënvizoi gjithashtu se mbledhjet e Kryesisë së Këshillit Bashkiak janë zhvilluar vetëm 5 herë gjatë 32 muajve të fundit, duke theksuar paralizimin e funksionimit të institucionit.