
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shpërndarë dëshminë e prindit të një të mituri që thuhet se u arrestua gjatë protestës së djeshme të opozitës.
Sipas prindit:
“Djali ka qenë duke ngrënë sufllaqe bashkë me kushëririn e tij 14-vjeçar, duke kaluar pranë shkollës ‘Ismail Qemali’, tek Ura e Tabakëve, me çantat e shpinës plot libra. Një person iu afrua dhe ua vendosi diçka në çantë, duke u thënë të shkonin ta hedhnin tek protesta. Fëmijët u frikësuan sepse nuk e njihnin. Nuk kishin bërë as dhjetë hapa kur civilë i arrestuan,” tha prindi.
Berisha komentoi gjithashtu për masat e policisë:
“Janë ndaluar mbi 50 demonstrues, shumë prej të cilëve nuk kishin marrë kurrë pjesë në protesta. Disa policë u sollën me rrugaçëri, në mënyrë antiligjore, si patronazhistë dhe kriminelë. Por një pjesë e mirë e policisë ka kuptuar se mbrojtja e hajdutëve nuk është detyrë ligjore. I ftoj policët e ndershëm të bashkohen me demonstruesit,” tha Berisha.
Ai e cilësoi kryeministrin Edi Rama si “armik të qenies së tyre dhe të kombit shqiptar”, duke akuzuar qeverinë për mbrojtje të vjedhjeve të zyrtarëve dhe për shkaktim të dëmit të madh për vendin.