
Instituti Amerikan i Paqes në Uashington do të mirëpresë sot takimin e parë të Bordit të Paqes, të krijuar nga presidenti Donald Trump. Në këtë takim do të marrë pjesë edhe Shqipëria, e përfaqësuar nga kryeministri Edi Rama, si dhe Kosova, e përfaqësuar nga presidentja Vjosa Osmani.
Sipas axhendës mes 26 folësve do të jetë edhe kryeministri Rama, i cili pritet të nënshkruajë marrëveshjen për anëtarësimin e Shqipërisë në Bord me statusin e vendit themelues.
Takimi do të hapet me fjalën e presidentit Trump, pasuar nga Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio dhe Steve Witkoff. Bordi është krijuar për përpjekjet humanitare dhe rindërtimin e Gazës, ndërsa pritet të bëhet publik edhe njoftimi për 5 miliardë dollarë të ofruara nga vendet anëtare për këtë qëllim.
Sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara, Bankës Botërore dhe Bashkimit Evropian, rindërtimi i Gazës pritet të kushtojë rreth 70 miliardë dollarë pas më shumë se dy vitesh luftë. Ende nuk dihet nëse Shqipëria ka kontribuar financiarisht dhe as shumat e vendeve të tjera, pasi këto pritet të shpallen nga vetë Trump përmes një postimi në Truth Social. Deri tani, Shqipëria nuk ka detyrime financiare në këtë fazë.