Vendosni fjalën kyçe....

Berisha akuza Ramës: 83 mandate për pushtet jashtëligjshëm, thirrje për protestë në Tiranë



Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po përdor 83 mandatet parlamentare për të përfituar fuqi të jashtëligjshme dhe për të mbrojtur interesa të grupeve të inkriminuara, duke shkelur Kushtetutën dhe cenuar të drejtat e qytetarëve.

Nga foltorja e Kuvendit, Berisha deklaroi se projektligjet e paraqitura nga mazhoranca janë në kundërshtim flagrant me Kushtetutën dhe shërbejnë si “mburojë” për kryeministrin dhe rrethin e tij.

“Edi Rama merr të gjitha fuqitë nëpërmjet 83 mandateve të krimit. Ligji që ka paraqitur në parlament është në kundërshtimin më flagrant me Kushtetutën. Ligji është një mburojë për Edi Ramën dhe familjen e tij, për organizatën kriminale që kryeson që të vjedhë duke i shpëtuar ligjit, duke qëndruar mbi ligjin,” u shpreh Berisha.

Berisha akuzoi gjithashtu mazhorancën për miratimin e ligjeve që, sipas tij, favorizojnë interesa personale dhe lidhje familjare, duke përmendur edhe projektligjin që e quajti “ligji i Lindave”, për të cilin pretendoi se lidhet me tenderat e AKSHI-t.

“Ligji i Lindave ishte ligji që tenderat e AKSHI-t do t’i bëjë kompania e baxhanakut. Ky është ligji i Lindave,” tha ai.

Sipas tij, qeveria po sillet ndaj qytetarëve “si pushtuesit më të egër”, duke përdorur pushtetin për interesa të ngushta dhe jo për përfaqësimin e interesave publike.

Në përfundim të fjalës së tij, Berisha bëri thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e paralajmëruar në Tiranë.

“Ndaj dhe unë ftoj shqiptarët të thonë fjalën e tyre me guxim epik nesër në ora 6 në rrugët dhe sheshet e Tiranës. Vetëm qytetarët, vetëm guximi i tyre i hekurt, vetëm vendosmëria e tyre do t’i vendosë këtë organizatë kriminale me në krye Edi Ramën para ligjit,” deklaroi ai.

Deklaratat e Berishës vijnë në një klimë të tensionuar politike, ndërsa opozita dhe mazhoranca përplasen për projektligje dhe çështje që lidhen me funksionimin e institucioneve dhe luftën kundër korrupsionit.