Vendosni fjalën kyçe....

Hipokrizia e ambasadës amerikane me Tahirin


Alias-Autor: Jozef Shvejk

Reforma në Drejtësi apo çatia që fut ujin e ndotur në shtepinë e re të drejtësisë!

Ditën e sotme Ambasada Amerikane ka dalë me një deklaratë për shtyp në lidhje me vendimin e djeshëm të gjykatës për Saimir Tahirin. E ndjej të domosdoshme të sqaroj se përse kjo deklaratë është e turpshme dhe nuk i bën nder SHBA-së dhe shtetit te së drejtës që ajo përfaqëson.

Në deklaratën e Ambasadës lexohet se “Vendimi i djeshëm kundër ish Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri demonstron pavarësinë në rritje të gjyqësorit dhe fillimin e fundit të pandëshkueshmërisë për personat me lidhje të forta.” Pyetja që gjithsecili shtron është “Ku e sheh ambasada këtë pavarësi?”

Një ndjekës i vëmendshëm i proceseve të tilla në Shqipëri do të vërente se skema e përdorur për një vit e gjysëm në gjyqin e Tahirit është e njëjta që ka përdorur sistemi i drejtësisë përpara Reformës. Kjo skemë, që është qartësisht e pandershme dhe që NUK demostron pavarësinë e gjyqësorit ka qenë një nga shkaqet përse pushtetarët e inkriminuar nuk dënoheshin.

Tani, përse mendoj që ky vendim demostron VARËSINË e gjyqësorit.
së pari, PPP Marku është emëruar me bekimin e Ambsadorit Lu dhe ajo sapo erdhi në krye të Prokurorisë largoi Besim Hajdarmataj (njeriun e dosjes Tahiri) me të besuarën Prela (e cila ka kaluar vettingun). Më pas ajo ia hoqi dosjen Tahiri prokurorit Hajdarmataj duke ia kaluar prokurorëve të tjerë.

Ishin këto prokurorë të tjerë që u morën me dosjen Tahiri dhe pretencën për të. Këta prokurorë të përzgjedhur nga dyshja partiake Marku-Prela, u morën me dosjen dhe fashikujt e saj si dhe lexuan pretencën. Dëshmitarët e seancave gjyqësore raportojnë për një akuzë të dobët gati qesharake dhe në kufijtë e paaftësisë profesionale nga prokurorët.

Në fund, gjykata e gjendur përpara kësaj dosje qesharake dhe pretence tërësisht të vakët dhe pa asnjë prove iu deshën mbi 5 orë që të merrte një vendim; ajo duhet të dënonte dhe njëkohësisht të lironte Saje Qorrin.

Së dyti, Ambasada shprehet se dje gjykata dënoi persona me lidhje të forta. Pyetja është kush janë personat që u dënuan për lidhje të forta dje? Jaeld Çela u dënua por jo për lidhje të forta me krimin, përkundrazi ai u diskriminua sepse u dënua me burg për të njëjtin “krim” si Tahiri.

Së treti, nëse gjykata do të ishte e pavarur dhe do të ishte e interesuar që kjo çështje të hetohej siç duhej mund t’i kërkonte Prokurorisë që ta rihetonte çështjen dhe jo të merrte një vendim duke mbyllur dosjen. Një çështje e tillë, me kaq sensitivitet dhe që ishte gur i rëndë në shtëpinë e re të Drejtësisë siç pretendon Ambasada se është, duhet të ishte edhe më shumë transparente.

Por jo, as gjykata nuk veproi kështu dhe as sistemi i drejtëisë nuk doli nga skema e vjetër e shmangies së ndëshkimit për politikanët dhe kriminelët. Shqipëria e Reformës në Drejtësi ka të njëjtin problem dhe çatia ndërkombëtare e reformës fut prapë ujë…

Natyrisht Ambasada Amerikane nuk mund të pranojë dështimin spektakolar ndaj dhe lëshon deklarata të tilla qesharake dhe hipokrite. Të cilat i ngjasojnë vendimit që Gjykata dha dje për Tahirin…fajtor por sa për t’i dhënë një tas supë pleqve për festat.

VINI RE: Autori shkruan në rrjete sociale, me pseudonim. Hashtag.al publikon sporadikisht shkrime anonimati, kur përmbajtja dhe argumentimi prevalon mbi identitetin dhe kur shkrimi nuk përmban qëndrime që cënojnë integritetin e një personi ose të një institucioni.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *