Vendosni fjalën kyçe....

SHBA-ja dikur kishte deri në 10,000 lloje të ndryshme dollarësh


Ka disa gjëra që i duhen një kombi për t’u konsideruar një shtet “i vërtetë”, dhe teknikisht, asnjë prej tyre nuk është një valutë zyrtare. Por pavarësisht kësaj, është diçka e mirë për t’u pasur, apo jo? Ndaj nuk është çudi që, në vitin 1792, deklarimi i dollarit amerikan si njësia standarde e parave ishte një nga çështjet e para me të cilat Kongresi vendosi të merrej.

Por nëse ligjvënësit e parë shpresonin të qartësonin situatën financiare me atë akt, do ishin zhgënjyer hidhur. Deri në vitet 1850, SHBA-ja kishte deri në 8,000 lloje të ndryshme kartëmonedhash në qarkullim në mbarë vendin, të gjitha me vlera të ndryshme dhe mjaft arbitrare në varësi të vendit dhe kohës kur shpenzoheshin. Ishte, siç tha historiani Brian Murphy për NPR në vitin 2012, “jo një sistem i mirë”.

Nuk është se kongresmenët e parë nuk mund t’i kishin parashikuar problemet që do lindnin. Në fakt, ata po jetonin tashmë një krizë të ngjashme: në vitin 1787, kur përfaqësuesit u takuan për Konventën Kushtetuese, Edmund Randolph po ankohej për “shkatërrimin prej parave të letrës”, në të cilat prerjet në SHBA tregtoheshin dhe lëshoheshin pa rregullore sa i përket origjinës apo vlerës së tyre.

“Problemi ishte akut në mbarë New England-in,” shkroi historiani Joshua Greenberg në librin e tij të vitit 2020 Bank Notes and Shinplasters: The Rage for Paper Money in the Early Republic.

“Një administratë e sapozgjedhur pro-valutës së letrës në Rhode Island lëshoi sasi të mëdha prerjesh shtetërore në vitin 1786, vlera e të cilave ra në tetë cent për dollar jo shumë kohë pasi u shtypën. Lindën pyetje për borxhet e paguara me para të këqija, gjë që i çoi Baptistët deri aty sa të ndëshkonin anëtarët që tentonin t’u kthenin borxhin kreditorëve me fatura letre në vend të monedhave.”

Qartësisht, diçka duhej bërë, dhe kështu hartuesit e bënë: ata ua ndaluan shteteve të “prenin para”, duke ia dhënë këtë të drejtë Bankës së Parë të Shteteve të Bashkuara. Kjo ishte e mrekullueshme, me përjashtim të faktit se këto pak institucione qeveritare thjesht nuk mund të përballonin kërkesat e popullsisë në rritje të vazhdueshme.

Ndërkohë, banka të panumërta të licencuara ose të rregulluara nga shteti po mbinin kudo në komb. “Kur Kushtetuta u ratifikua ekzistonin vetëm tri banka në Shtetet e Bashkuara, por numri u rrit me shpejtësi,” shkroi Greenberg. “Më shumë se 2,000 banka u hapën midis viteve 1782 dhe 1860 dhe amerikanët duruan një peizazh monetar kaotik të përbërë nga gati 10,000 kartëmonedha unike të lëshuara nga qindra banka nën rregullore shtetërore të shumta, konkurruese dhe ndonjëherë kontradiktore.”

Amerikanët duhej të ishin jashtëzakonisht të shkathtë në njohjen e llojeve të ndryshme të kartëmonedhave dhe vlerësimin e tyre me sy në moment. Dhe nuk mund të mbështeteshit as te madhështia e tyre për t’u udhëhequr: prerjet mashtruese nga bankat false mund të dukeshin bindshëm të shtrenjta – dhe prerjet reale mund të ishin krejtësisht teke.

“Kartëmonedha 5 dollarëshe e Howard Banking Company është një nga të preferuarat e mia personale,” tha për NPR Matt Jaremski, tani profesor i Historisë Ekonomike në Universitetin Shtetëror të Utah-s, “sepse është një kartëmonedhë me Babagjyshin e Krishtlindjeve.”

Fundi i një epoke

Ka vetëm një kohë të caktuar që një situatë si kjo mund të vazhdojë, dhe – siç ka të ngjarë ta dini tashmë nga kartëmonedhat moderne – ajo përfundimisht mbaroi. Por arsyeja pse ndodhi ndoshta nuk është ajo që do prisnit.

“Gjatë dy muajve të parë të vitit 1862, financat e qeverisë federale ishin në gjendje të rëndë,” shkroi historiani Marc Egnal në një artikull të New York Times të vitit 2012. Vendi kishte vetëm pak muaj në luftë civile, shpjegoi ai, dhe pasqyra ekonomike “nuk mund të kishte qenë më e zymtë. Departamenti i Luftës nuk mund të paguante më ushtarët dhe marinarët e vendit; gjeneralët ndiqnin Uashingtonin për para. Të ardhurat e qeverisë, që vinin kryesisht nga tarifat, ranë nga një mesatare vjetore prej 60 milionë dollarësh gjatë viteve të paraluftës në 42 milionë dollarë pasi filloi lufta.”

Unioni po falimentonte – kështu që bëri diçka sa të thjeshtë aq edhe novatore. Qeveria shtypi 150 milionë dollarë prerje të Thesarit me kurs ligjor, të njohura si “greenbacks” (shpinëgjelbrit) për shkak të bojës së tyre karakteristike me ngjyrë smaraldi, të cilat i përdori për të paguar ushtarët dhe furnizimet. Për herë të parë, të gjitha shtetet veriore ishin të bashkuara në përdorimin dhe pranimin e një grupi të vetëm kartëmonedhash, të lëshuara jo nga ndonjë bankë apo kompani dy qytete më larg që mund të mos ekzistonte fare, por nga qeveria.

Në të njëjtën kohë, këto shtete veriore po shihnin krijimin e diçkaje tjetër mjaft të re: bankat kombëtare. Këto ishin institucione të rregulluara jo nga shtetet por nga qeveria federale – një tjetër mënyrë dinake për Unionin që të mblidhte fonde për Luftën Civile, pasi kjo i detyronte bankat e reja të blinin obligacione qeveritare.

Të dyja këto masa ishin të mëdha, dramatike dhe konsideroheshin në atë kohë si me shumë mundësi të përkohshme – lloji i masave emergjente që mund të jenë të nevojshme gjatë një lufte, por që ndoshta do të përfundonin në kohën e duhur pasi gjithçka të qetësohej. Por ja si qëndron puna: qeveria, pothuajse rastësisht, i kishte bërë kartëmonedhat të besueshme.

Për herë të parë, prerjet ishin uniforme në të gjitha shtetet – dhe për më tepër, ato vlenin aq sa thoshin se vlenin. Nuk është çudi që njerëzit donin t’i mbanin ato. Dhe kështu, falë jo ndonjë motivimi për t’i dhënë fund kaosit të mijëra kartëmonedhave konkurruese në mbarë SHBA-në, por një nevoje të papritur dhe të tmerrshme për të mbledhur para për luftë, dollari u standardizua përfundimisht, shkruan IFL.