
Banorët e zonës së Rrjollit në Velipojë, si dhe qytetarë që preken nga projekti TID në Durrës, janë organizuar këtë të enjte në një protestë përpara ambienteve të Kuvendit, ku kërkojnë mbrojtjen e pronave dhe të drejtave të tyre.

Protestuesit kanë hedhur akuza se pronat e tyre po zaptohen në mënyrë të padrejtë, duke pretenduar se nuk janë respektuar procedurat ligjore dhe se po përballen me presione për lirimin e tokave.

Më herët, banorët kanë drejtuar akuza edhe ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, duke pretenduar se me firmën e saj është dhënë leje për ndërtimin e një resorti në pronat që ata i konsiderojnë të tyret.
Banorët paralajmërojnë se do të vijojnë reagimet e tyre deri në zgjidhjen e çështjes.