
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka sulmuar ashpër Gjykatën Kushtetuese, duke e akuzuar se ka zvarritur për rreth dy muaj vendimin lidhur me çështjen e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, përmes disa seancave që, sipas tij, nuk kishin asnjë arsye ligjore.
Në deklaratën e tij, Berisha tha se gjatë kësaj periudhe Balluku ka pasur kohë të mjaftueshme për të manipuluar dokumente.
“Katër seanca për një vendim që në mënyrë absolute nuk u takonte ta shqyrtonin. E mbajtën dy muaj aty dhe ajo dy muaj me një ushtri të tërë duke fabrikuar, duke falsifikuar dhe grisur dokumente”, u shpreh ai.
Sipas kreut të PD-së, trajtimi i kësaj çështjeje nga Gjykata Kushtetuese përbën shkelje të hapur të procedurës, pasi çdo qytetar ndjek një rrugë të përcaktuar ligjore. “Çdo qytetar, në qoftë se ka një vendim të Shkallës së Parë, shkon në Apel, nga Apeli në Gjykatë të Lartë dhe vetëm pastaj në Gjykatë Kushtetuese. Kurse Lubia dhe këta gjykatës shkuan direkt në Kushtetuese”, tha Berisha.
Ai akuzoi Gjykatën se ka vepruar me motive politike, duke shtuar se arsyeja e vetme e këtij trajtimi të veçantë është mbrojtja nga kryeministri.
“Pse kjo? Vetëm e vetëm se ajo është Edi Rama”, deklaroi Berisha.
Në vijim, kreu i opozitës foli për atë që e cilësoi si degradim ekstrem të administratës publike, duke ngritur akuza të rënda për korrupsion në nivele të ndryshme të pushtetit.
“Një administratë anti-qytetare s’e ka pasur vendi kurrë të tillë. Vjedhin, vjedhin dhe vjedhin”, tha ai.
Berisha përmendi edhe raste konkrete, duke pretenduar se persona të përfshirë në afera korruptive janë mbrojtur nga institucionet, ndërsa drejtësia, sipas tij, është përdorur në funksion të pushtetit.
“Më hajdute se ajo nuk ka njeri, por qëndron Rama pas saj”, u shpreh ai, duke iu referuar mbështetjes politike ndaj zëvendëskryeministres.
Deklaratat e Berishës vijnë në një kohë kur debati politik mbi funksionimin e drejtësisë dhe rolin e Gjykatës Kushtetuese mbetet i tensionuar mes mazhorancës dhe opozitës.