
Kosova nuk ka përfituar nga një paketë financiare prej 171 milionë eurosh të Bashkimit Evropian, e dedikuar për zhvillimin e infrastrukturës dhe sektorit privat në Ballkanin Perëndimor. Sipas BE-së, arsyeja lidhet me mosplotësimin e kushteve ligjore dhe bllokadën institucionale pas zgjedhjeve.
Bashkimi Evropian ka konfirmuar se mungesa e ratifikimit të Marrëveshjeve të Huasë dhe të Lehtësimit në kuadër të programit Lehtësim për Reformë dhe Rritje (RGF) ka pamundësuar disbursimin e fondeve për Kosovën. Pa përfundimin e këtyre procedurave ligjore, vendi nuk mund të përfitojë nga mjetet financiare të parashikuara.
“Kosova ende nuk i ka përmbushur kushtet ligjore për të marrë pagesën, pasi nuk i ka ratifikuar Marrëveshjet e Huasë dhe të Lehtësimit në kuadër të RGF. Për rrjedhojë, Kosova nuk mund të përfitojë ende nga fondet e RGF-së,” thuhet në përgjigjen e BE-së për FrontOnline.
Një zëdhënës i Komisionit Evropian ka shprehur shpresën se situata do të zgjidhet së shpejti, duke rikujtuar se Kosova ka përfituar së fundmi ndihmë financiare në vlerë prej 216 milionë eurosh. Kjo shumë përfshin 181 milionë euro për programimin e fondeve të reja dhe 35 milionë euro për vazhdimin e katër kontratave prioritare që synojnë të përfitojnë drejtpërdrejt qytetarët.
BE-ja njoftoi gjithashtu se synon të lirojë shumën e mbetur prej 205 milionë eurosh në fillim të këtij viti. Kjo do të mundësonte rifillimin e kontraktimit të fondeve IPA 2021 në vlerë rreth 17 milionë euro, IPA 2022 prej 55.7 milionë eurosh, si dhe projekte të Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) prej 132 milionë eurosh, pas arritjes së marrëveshjes për prioritetet e programimit.