
Në Konferencën e Kryetarëve po zhvillohet debat lidhur me kërkesën e Partisë Socialiste për ndryshimin e formulës së komisionit për Reformën Territoriale, me synimin që mazhoranca të marrë shumicën në këtë strukturë.
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, kundërshtoi këtë kërkesë, duke theksuar se përbërja e komisionit nuk mund të ndryshohet vetëm për faktin se opozita nuk ka marrë pjesë në disa mbledhje dhe se kjo është një e drejtë e PD-së.
“Nuk është normale që kur opozita nuk shkon në një komision të ndryshohet përbërja. Është e drejta e PD-së, ka të drejtën e vetos,” u shpreh Tabaku.
Pavarësisht kundërshtimit të demokratëve, Partia Socialiste vijon të mbajë qëndrimin se formula duhet të ndryshojë, duke argumentuar se puna e komisionit nuk mund të bllokohet dhe se reforma duhet të ecë përpara.
Në të njëjtën linjë me Tabakun, deputeti i PD-së Gazment Bardhi sqaroi se nuk ka pasur bojkot të qëllimshëm të mbledhjeve, por mungesë të përkohshme të anëtarëve për shkak të angazhimeve të tjera.
“Nuk është bojkotuar mbledhja, thjesht në dy data që kanë qenë për mbledhje nuk kanë qenë anëtarët tanë sepse kanë pasur angazhime të tjera,” tha Bardhi.
Ai theksoi se opozita kërkon procese konsensuale dhe dialog, në përputhje me rekomandimet e Bashkimit Evropian, por sipas tij mazhoranca po refuzon këtë qasje.
“Ne ju themi se duhen procese konsensuale, hajdeni të gjejmë mekanizma dialogu, nën frymën e rekomandimeve të BE-së. Ju thoni: jo! Hajdeni këtu, flisni kot, ne do të bëjmë çfarë të duam. Për çfarë ju duhet opozita në tryezë? Për të shitur ju fasadën sikur çdo gjë funksionon normalisht,” deklaroi Bardhi.
Sipas tij, mazhoranca nuk ka interes real për qytetarët, por për ndryshimin e hartës elektorale.
“Ju nuk keni qëllim qytetarët, por hartën elektorale. E bëtë këtë në vitin 2014 dhe e pamë se çfarë bëtë, duke shkatërruar pushtetin vendor dhe duke dëmtuar qytetarët,” përfundoi Bardhi.