
Agjencia e Prokurimit Publik u ka bërë thirrje institucioneve që personat e ngarkuar pranë tyre me çështjet e prokurimit publik duhet të testohen dhe të marrin certifikatën për njohuritë bazë ose në të kundërt nuk do të mund ta ushtrojnë këtë detyrë.
Në një njoftim të saj APP jep detajet lidhur me përcaktimet ligjore s ai takon këtij detyrimi si dhe hapave që duhet të ndërmerren.
“Sjellim në vëmendje se bazuar në nenin 75/1 të VKM-së 285/2021 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, i ndryshuar si dhe Udhëzimit të përbashkët “Për përcaktimin e procedurave dhe kritereve për organizimin e trajnimeve, testimeve dhe dhënien e certifikatave në fushën e prokurimit publik”, i ndryshuar, përcaktojnë detyrimin e personave përgjegjës apo zyrtarëve të strukturave përgjegjëse të prokurimit publik për t’u pajisur me certifikate njohurish të paktën në nivelin bazë.
Dispozitat tranzitore, përcaktojnë një periudhë 2-vjeçare brenda së cilës, të gjithë personat e mësipërm duhet të pajisen me certifikatë, periudhë e cila përfundon në muajin Gusht 2026” thuhet në njoftim.
Vetë Agjencia nënvizon se të gjithë Autoritetet/Entet Kontraktore duhet që të sigurojnë pjesëmarrjen e personave përgjegjës për prokurimin, si dhe personat e punësuar në struktura të dedikuara për prokurimin, nëse ka, në testimin e DATËS 19 SHKURT 2026, që do të organizojë ASPA, në kuadër të procesit të profesionalizimit.
Në rastet kur pjesëmarrësit nuk kalojnë me sukses testimin për nivelin bazë, këta të fundit mund të kryejnë përsëri trajnimin në mënyrë që të përsërisin testimin për marrjen e certifikatës.
“Moscertifikimi brenda afatit të përcaktuar mund të sjellë pasoja, përfshirë moslejimin e ushtrimit të së drejtës për të qenë në cilësinë e personit përgjegjës apo pjesë e strukturave të dedikuara në fushën e prokurimit publik.
Sjellim në vëmendje se për të marrë pjesë në testim, duhet të komunikoni me Shkollën Shqiptare të Administratës Publike deri në datën 16 shkurt, në adresën aspa@aspa.gov.al, pasi kërkohet paraprakisht plotësimi i një formulari dhe regjistrimi paraprak pranë ASPA-s” thuhet në njoftim.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor