
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një konferencë të përbashkët për mediat me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ku u ndal te marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Izraelit.
Rama theksoi se dy vendet kanë ndërtuar një bashkëpunim të qëndrueshëm në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, ndërsa nënvizoi se Shqipëria do të mbështesë përpjekjet ndërkombëtare për paqe, përfshirë Planin e Paqes për Gazën të propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump.
“Ne do të mbështesim të gjitha përpjekjet, përfshirë planin e Paqes për Gazën të presidentit Trump. Me Izraelin vazhdojmë bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes. Gjithashtu ju falënderoj për mbështetjen pas sulmit kibernetik nga ana e Iranit”, u shpreh Rama.
Kryeministri deklaroi gjithashtu se Shqipëria dhe Izraeli po arrijnë marrëveshje të reja për ndërtimin e kapaciteteve prodhuese në sektorin e mbrojtjes, çka sipas tij do të krijojë kushtet që prodhimi “Made in Albania” të shtrihet edhe përtej kufijve të vendit.
“Ndërsa lutemi për shpirtrat e panumërt që kanë humbur jetë, mbajmë shpresë se ditët e vrasësve të Teheranit po vijnë drejt fundit. Marrëveshjet që po arrijmë ditë pas dite për të ndërtuar një prodhim të ri të mbrojtjes, falë partneritetit, rikrijojnë kushtet që prodhimi ‘Made in Albania’ të shtrihet edhe jashtë vendit”, tha Rama.
Në fund, kreu i qeverisë shqiptare u ndal edhe te turizmi dhe shkëmbimet mes njerëzve, duke ftuar qytetarët izraelitë dhe komunitetin hebre të vizitojnë Shqipërinë.
“Dua ta përmbyll me turizmin dhe shkëmbimet mes njerëzve që po rriten vitet e fundit. Ftoj të gjithë popullin hebre të vizitojë Shqipërinë, pasi është një vend ku hebrenjtë mund të jetojnë në siguri të plotë”, përfundoi Rama.