Vendosni fjalën kyçe....

Krizë e thellë në Iran, 2,000 të vrarë në trazira, Trump ashpërson qëndrimin


 

Rreth 2,000 persona, përfshirë protestues dhe forca sigurie, janë vrarë gjatë dy javëve të protestave masive në Iran, konfirmoi një zyrtar iranian për Reuters, hera e parë që autoritetet pranojnë një shifër kaq të lartë viktimash.

Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti, akuzoi “terroristë” për vrasjet, pa dhënë ndarje mes civilëve dhe efektivëve të sigurisë.

Protestat shpërthyen më 28 dhjetor pas rënies së lirës iraniane dhe janë kthyer në demonstratat më të mëdha kundër regjimit në të paktën tre vite.

ShBA-ja ka reaguar ashpër ndaj dhunës. Mbrëmjen e së hënës, Presidenti Donald Trump njoftoi tarifa 25% për çdo vend që bën tregti me Iranin, duke e thelluar më tej izolimin ekonomik të Teheranit.

Trump paralajmëroi edhe opsione ushtarake, duke deklaruar javën e kaluar: “Ne jemi gati dhe të armatosur.”

Kina kritikoi menjëherë vendimin e tarifave, ndërsa shumë vende të tjera partnere të Iranit – përfshirë Turqinë, Irakun, Emiratet dhe Indinë – pritet të preken rëndë nga masa.

Pavarësisht presionit të jashtëm dhe protestave të brendshme, nuk ka shenja përçarjeje brenda aparatit të sigurisë së Republikës Islamike.

Megjithatë, kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se “regjimi po jeton ditët dhe javët e fundit të tij”.

Ndërkohë, Teherani ka ndërprerë pjesërisht internetin, duke kufizuar qarkullimin e informacionit, ndërsa organizatat e të drejtave të njeriut raportojnë mbi 10 mijë arrestime dhe qindra të identifikuar me emër si të vrarë.

Zyrtarët iranianë thonë se po mbajnë kanalet diplomatike të hapura me Uashingtonin, pavarësisht paralajmërimeve të Trump, ndërsa SHBA deklaron se “diplomacia mbetet opsioni i parë”.