Vendosni fjalën kyçe....

Polonia përgatit fortifikime kundër dronëve me vlerë 2 miliardë euro në kufirin lindor, mes kërcënimit rus


Polonia planifikon të përfundojë brenda dy viteve një sistem të ri fortifikimesh kundër dronëve përgjatë kufijve të saj lindorë, ka deklaruar një zyrtar i lartë i mbrojtjes, pas një inkursioni masiv të mjeteve ajrore ruse pa pilot në hapësirën ajrore polake më herët këtë vit.

“Presim që kapacitetet e para të sistemit t’i kemi rreth gjashtë muajt e ardhshëm, ndoshta edhe më shpejt. Ndërsa sistemi i plotë do të kërkojë 24 muaj për t’u përfunduar”, tha për The Guardian zëvendësministri i Mbrojtjes, Cezary Tomczyk, në një intervistë në Varshavë.

Tomczyk tha se sistemet e reja të mbrojtjes ajrore do të integrohen me një linjë më të vjetër mbrojtjeje, e ndërtuar rreth një dekadë më parë. Sipas tij, sistemi do të përfshijë disa shtresa mbrojtjeje, duke nisur nga mitralozë dhe topa, deri te raketat dhe sistemet e bllokimit të dronëve.

“Disa prej tyre janë për përdorim vetëm në kushte ekstreme ose lufte. Për shembull, këta mitralozë me shumë tyta janë të vështirë për t’u përdorur në kohë paqeje, sepse gjithçka që ngrihet lart, bie përsëri poshtë”, u shpreh ai.

Më shumë se një duzinë dronësh të dyshuar rusë hynë në hapësirën ajrore polake në shtator, në një incident që çoi në mbylljen e aeroporteve, ngritjen e avionëve luftarakë dhe dëmtime në ndërtesa në tokë, pasi dronët u rrëzuan.

Ministri i Jashtëm, Radosław Sikorski, i tha The Guardian në atë kohë se sulmet, të cilat përfshinin dronë pa municion, ishin një përpjekje e Rusisë “për të na testuar pa nisur një luftë”.

Që atëherë, Polonia ka përditësuar planet ekzistuese për forcimin e kufijve të saj lindorë. Ndërsa asnjë sistem kundër dronëve nuk mund të jetë plotësisht efektiv përballë sulmeve sistematike dhe masive si ato që ka përjetuar Ukraina, vendet europiane në krahun lindor po nxitojnë të përmirësojnë mbrojtjen për t’iu përshtatur kërcënimit të ri.

Tomczyk tha se projekti do të kushtojë më shumë se 2 miliardë euro dhe do të financohet kryesisht nga fondet europiane përmes programit të huave të mbrojtjes SAFE (Security Action for Europe), si dhe me kontribute nga buxheti i shtetit.

Gjatë afro katër viteve të luftës së shkallës së plotë në Ukrainë, Polonia ka kaluar gjithnjë e më shumë në një gjendje gatishmërie lufte, ndërsa rastet e sabotazhit dhe zjarrvënieve, të cilat shërbimet polake i lidhin me agjencitë ruse të inteligjencës, janë shtuar.

Vendi ka plane për të trajnuar qindra mijëra qytetarë në aftësi mbijetese, ndërsa të tjerë po marrin pjesë në stërvitje ushtarake vullnetare.

Përveç “murit” kundër dronëve, Polonia po kryen edhe fortifikime përgjatë kufijve tokësorë me Bjellorusinë dhe enklavën ruse të Kaliningradit, në kuadër të projektit të quajtur “Mburoja Lindore”, që synon të parandalojë një pushtim të mundshëm rus. Tomczyk tha se në çdo komunë kufitare do të ndërtohen qendra të posaçme logjistike, ku do të ruhen pajisje për bllokimin e kufirit, të gatshme për t’u vendosur brenda pak orësh.

“E vërteta është se, për aq kohë sa Ukraina po mbrohet dhe po lufton Rusinë, Europa nuk është në rrezik lufte në kuptimin konvencional dhe të ngushtë të fjalës. Ajo që do të përballemi janë provokime dhe akte sabotazhi”, tha Tomczyk.

Por ai paralajmëroi se, nëse Perëndimi do ta lejonte Rusinë të fitonte në Ukrainë, nuk do të kalonte shumë kohë para se Kremlini të kthente vëmendjen drejt Europës.