
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq pesë shtetas, mes tyre kryeinspektorin dhe tre inspektorë të Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit (IVMT) të Bashkisë Sarandë, për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Ndërtim i paligjshëm”.
Sipas prokurorisë, nga hetimet e procedimit penal nr. 416 të vitit 2023 rezultoi se në zonën e Ksamilit, në vendin e quajtur “Kanali i Vivarit”, është kryer ndërtim i paligjshëm në një sipërfaqe të madhe, pa leje ndërtimi nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit dhe pa kontratë me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit. Zona në fjalë bën pjesë në Parkun Kombëtar “Butrint” dhe ka statusin Monument Natyre.
Hetimet zbuluan gjithashtu se nga ana e punonjësve të IVMT Sarandë nuk janë ndjekur procedurat ligjore për konstatimin e plotë të punimeve dhe marrjen e masave administrative, përfshirë vendosjen e gjobës.
Në gjyq janë dërguar:
Shtetasi R.P., i akuzuar për “Ndërtim të paligjshëm”, “Pushtim të tokës”, “Shpërdorim të tokës” dhe “Dëmtim të habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore”;
Personi juridik “Laguna Invest”, për “Ndërtim të paligjshëm” dhe “Pushtim të tokës”;
Shtetasit E.Z., B.K. dhe V.X., inspektorë të IVMT Sarandë në kohën e kryerjes së veprës penale, për “Shpërdorim detyre”;
Shtetasi A.M., kryeinspektor i IVMT Sarandë, gjithashtu i akuzuar për “Shpërdorim detyre”.
Prokuroria thekson se hetimet kanë evidentuar shkelje të rënda ligjore në një zonë të mbrojtur me rëndësi të veçantë mjedisore dhe kulturore.