
Kryedemokrati Sali Berisha, nga podiumi i protestës kombëtare mbrëmjen e sotme deklaroi se nga sot “Rilindja dhe Rama janë kufoma politike” dhe se “funeralin do ia bënin ata”.
“Në emrin tuaj ftoj të gjitha forcat politike opozitare, ftoj çdo opozitar, guximtar në këtë betejë vendimtare, për fatin e këtij kombi që po shuhet, që po shkretohet.
Për fatin e këtij vendi të bekuar, nga i cili po largohen bij dhe bijat tona që nuk besojnë më, edhe pse ka pasuri përallore, për familjen shqiptare që këta duan ta shkatërrojnë, ta shuajnë. Ne tani duhet ta zhdukim këtë racë armiqsh.
I bëj thirrje intelektualëve shqiptarë, intelektuali ka armik numër një konformizmin, është virusi shkatërrimtar i tij, dilni në shesh për familjet tona dhe qytetarët që na besojnë. Dilni se nuk munden kurrë një bandë si këta të privatizojnë shtetin e gjithçka”, tha ai.
Berisha iu përgjigj edhe skeptikëve për këto protesta duke thënë:
“Në këmbë shqiptarë, me misionin historik për të larguar Ramën.
Për të shpëtuar familjen shqiptarë, demokracinë. Ne jemi këtu sot dhe jam i bindur se me të drejtë ka qytetarë në shesh dhe të tjerë që na ndjekin dhe thonë çfarë do bëjnë këta?
Ne do bëjmë atë “ja do vdesim ja do rrojmë për liri”. Mjerë ai që provohet me ne. Ne do t’i shkojmë në Surrel…Kur ne kemi dalë me këtë betim kurrë nuk kemi humbur. Nuk mundet kurrë një grusht hajdutësh të na nëpërkëmbin ne. Të nxijnë Shqipërinë…Ai na ka shpallur luftë, ne i shpallim luftë”.