
Samiti i fundit i Bashkimit Evropian për financimin e Ukrainës prodhoi një kthesë të papritur që ndryshoi rrjedhën e diplomacisë evropiane.
Pas bllokimit të planit për përdorimin e aseteve të ngrira ruse, udhëheqësit ranë dakord për një hua prej 90 miliardë eurosh bazuar në borxhin e përbashkët të BE-së, një lëvizje që la pas fitues dhe humbës të qartë.
Më poshtë është pasqyra e atyre që dolën triumfues dhe atyre që pësuan disfatë në këtë samit vendimtar:
Fituesit
Bart De Wever (Kryeministri i Belgjikës)
De Wever realizoi një “masterklas” të rezistencës stoike. Ai mbrojti me sukses interesat e Belgjikës duke bllokuar përdorimin e aseteve ruse të mbajtura në Euroclear, duke argumentuar se kjo do e ekspozonte vendin e tij ndaj hakmarrjes ruse. Strategjia e tij për të kërkuar garanci “të pakufizuara” nga vendet e tjera e bëri Planin A të parealizueshëm, duke i detyruar të tjerët të pranonin Planin B.
Giorgia Meloni (Kryeministrja e Italisë)
Meloni u konfirmua si “kingmaker-ja” e vërtetë e samitit. Pasi qëndroi në hije ndërsa Belgjika bënte betejën e parë, ajo ndërhyri në çastin perfekt kur plani i dëmshpërblimit dështoi, duke diktuar kushtet e marrëveshjes së re në orët e vona të natës.
António Costa (Presidenti i Këshillit Evropian)
Costa arriti të mbyllte një marrëveshje pothuajse të pamundur brenda një dite të vetme, duke ruajtur unitetin e bllokut. Ai qëndroi mbi palët dhe siguroi që të gjithë të largoheshin me diçka nga tryeza.
Aktorët e Luftës së Ukrainës
Volodymyr Zelensky: Siguroi fondet jetike që i duheshin Ukrainës.
Vladimir Putin: Asetet e tij mbeten të paprekura (për momentin).
Donald Trump: Ruan mundësinë për t’i përdorur ato asete si mjet presioni në negociatat e ardhshme të paqes.
Humbësit
Friedrich Merz (Kancelari i Gjermanisë)
Ky ishte një nga samitet më të pasuksesshme për një kancelar gjerman. Merz dështoi në dy frontet kryesore: plani i tij për asetet ruse (të cilin e mbrojti me forcë për javë të tëra) u hodh poishtë, dhe marrëveshja Mercosur u shty. Fakti që ai u detyrua të pranonte borxhin e përbashkët – diçka që Gjermania e kundërshtonte historikisht – ishte një humbje e rëndë politike.
Ursula von der Leyen (Presidentja e Komisionit Evropian)
Von der Leyen pësoi një disfatë të ngjashme me Merz-in. Megjithëse u përpoq të mbante borxhin e përbashkët larg tryezës, ajo u dorëzua vetëm në çastet e fundit, kur momentum-i ishte zhvendosur tashmë te liderët e tjerë.
Mette Frederiksen dhe blloku Nordik
Danimarka dhe vendet nordike mbështetën narrativën se asetet ruse ishin “i vetm mjet”. Në fund, ky bllok u anashkalua nga vendimi për borxhin e përbashkët, duke shpërfaqur ndarjet e vjetra mes vendeve kursimtare dhe atyre që mbështesin financimin kolektiv.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Politico
