
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi me forcë pas mbledhjes së sotme të Këshillit të Mandateve, ku u diskutua për kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes dhe zv/kryeministres Belinda Balluku.
Berisha e cilëson këtë akt si një tentativë për të fshehur provat dhe për të bllokuar drejtësinë, duke theksuar se asgjë nuk mund t’iu shpëtojë përgjegjësisë ligjore.
“Kryehajduti Edi Rama bllokon heqjen e imunitetit të Lubi Ballukut! Sot, Niko Peleshi, në një akt të pashembullt antikushtetues, nuk i dha deputetëve anëtarë të Komisionit të Mandateve provat e prokurorisë që faktojnë vjedhjet e qindra-milionë eurove nga Rama dhe Balluku. Pas gjashtë orësh debate, ai ndërpreu mbledhjen me urdhër të Ramës, pa vendosur për heqjen e imunitetit të Ballukut dhe pa caktuar kohë të re për mbledhjen e Komisionit”. –
Berisha shton se Partia Demokratike dënon me forcë aktin antikushtetues të fshehjes së provave dhe bllokimit të drejtësisë nga qeveria, duke paralajmëruar se asgjë nuk do t’u shpëtojë Rama dhe Ballukut nga ndëshkimi ligjor për ato që ai i quan “mega-vjedhjet” e kryera gjatë mandatit qeverisës.