
Drejtuesi politik i PD-së për Tiranën Belind Këlliçi tha mbrëmjen e sotme se opozita ka qenë e vonuar në reagim lidhur me ngjarjet politike në vend, teksa pohoi se disa veprime duhet të ishin ndërmarrë më herët.
“Patjetër që opozita është e vonuar në reagim. Kjo seancë që ndodhi sot duhet të kishte ndodhur edhe dy muaj më parë. Ne jemi përpjekur të bëjmë atë që na kërkohet, i bëmë të gjitha: kërkuam mocion me debat, diskutime dhe hapa të tjerë institucionalë, por pamjet që pamë sot në Parlamnet duhet të zhvendosen ditën e hënë para Kryeministrisë,” tha ai.
Deputeti demokrat shtoi se protesta e së hënës do organizohet me masa të shtuara konfidencialiteti, për të shmangur rrjedhjen e informacionit mbi detajet e saj.
“Sipas mënyrës së organizimit, deri pak minuta para se të nisë protesta nuk do merret vesh se çfarë do ndodhë. Kjo është mënyra e organizimit të një proteste që nuk duhet të ketë rrjedhje informacioni. Nuk e di nëse do ketë fjalime,” tha Këlliçi.