Vendosni fjalën kyçe....

Kuvendi nuk i dha provat për Ballukun deputetëve, Bardhi: Korrupsioni nuk mbyllet dot në kasafortë


Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka reaguar pasi Kuvendi nuk u dha anëtarëve të Këshillit të Imunitetit provat për Ballukun.

Bardhi iu drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, duke u shprehur se korrupsioni i kryeministrit Rama nuk mund të mbyllet në kasafortë.

Sipas tij SPAK ka detyrimin sipas ligjit që të sjellë në Kuvend relacionin, shoqëruar me provat mbështetëse.

Ai kërkoi që materialet t’u vendosen në dispozicion anëtarëve të Këshillit të Mandateve, së bashku me provat shoqëruese të relacionit dhe urdhrin e prokurorit të datës 16.12.2025.

 

REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI

Niko e ke gabim! Nuk e mbyll më dot në kasafortë korrupsionin e Edi Ramës! Është sheshit, në çdo punë publike!

SPAK, sipas ligjit, ka detyrimin të sjellë në Kuvend relacionin, shoqëruar me provat mbështetëse. Këto nuk i sjellë për ti mbyllur në kasafortën e Protokollit të Kuvendit, por për tia vënë në dispozicion anëtarëve të Këshillit të Mandateve dhe deputetes së marrë të pandehur, që të jenë të përgatitur për vendimmarrjen në mbledhje.

Për të zbatuar ligjin ska nevojë të pyesësh as SPAK as Edi Ramën! Vendosi në dispozicion deputetëve materialin e plotë, përfshirë provat shoqëruese të relacionit dhe urdhrin e prokurorit të datës 16.12.2025.