
Zbardhen detaje të reja nga operacioni i zhvilluar një ditë më parë në Itali, ku autoritetet çmontuan një grup të strukturuar italo-shqiptar të trafikut të lëndëve narkotike.
Sipas hetimeve, organizata kriminale rezulton të ketë qenë më e madhe dhe më e organizuar nga sa ishte parashikuar fillimisht. Në krye të grupit qëndronin dy shtetas shqiptarë, banues mes zonave Castelfiorentino dhe Colle Val d’Elsa, të cilët kishin ndërtuar rrjetin e furnizimit, strategjinë e shpërndarjes, vendet e magazinimit dhe çmimet e shitjes së drogës, si dhe identifikonin përfituesit përfundimtarë.
Anëtarë të tjerë të grupit, të cilësuar si kontakte të besuara të drejtuesve, kishin në përgjegjësi administrimin e depove të drogës, transportin e lëndëve narkotike dhe përgatitjen e dërgesave për klientët, duke siguruar edhe grumbullimin e të ardhurave nga shitjet.
Hetimi ka zbuluar gjithashtu se disa prej të dyshuarve ishin të punësuar zyrtarisht si shoferë furgonësh ose korrierë në kompani transporti mallrash për palë të treta. Ata shfrytëzonin këtë mbulim ligjor për të simuluar shpërndarjen e produkteve, duke fshehur lëndët narkotike në qese plastike transporti gjatë dërgesave te klientët.