
Një delegacion prej 30 qytetarësh kanadezë, përfshirë gjashtë deputetë të Parlamentit të Kanadasë, është ndaluar të martën në hyrje të Bregut Perëndimor, pavarësisht se anëtarët kishin autorizim elektronik udhëtimi, sipas deklarimeve të pjesëtarëve të grupit, përcjell JPost.
Në përbërje të delegacionit ishin deputetët Fares Al Soud, Iqra Khalid, Sameer Zuberi, Aslam Rana dhe Gurbux Saini nga Partia Liberale, si dhe Jenny Kwan nga Partia e Re Demokratike. Delegacioni ishte organizuar nga organizata bamirëse e regjistruar në Kanada, The Canadian-Muslim Vote, dhe kishte planifikuar të hynte në Bregun Perëndimor përmes pikës kufitare Allenby me Jordaninë.
Sipas organizatorëve, delegacioni synonte të zhvillonte takime me zyrtarë të Autoritetit Palestinez, refugjatë palestinezë, si dhe përfaqësues hebrenj, myslimanë dhe të krishterë. Disa nga pjesëmarrësit janë gjithashtu anëtarë të Këshillit Kombëtar të Myslimanëve Kanadezë (NCCM).
NCCM bëri të ditur se anëtarëve të delegacionit iu kërkua të nënshkruanin një formular ku pranonin se konsideroheshin rrezik për sigurinë publike, gjë që ata refuzuan. Nga ana tjetër, autoriteti izraelit përgjegjës për aktivitetet civile në territoret palestineze deklaroi se grupi kishte mbërritur “pa koordinim paraprak”.
Drejtori ekzekutiv i NCCM, Stephen Brown, e cilësoi ndalimin e delegacionit si shqetësues, duke theksuar se autoritetet izraelite kishin lëshuar më parë autorizime elektronike për të gjithë anëtarët e grupit. Sipas tij, rasti përbën pjesë të një modeli më të gjerë kufizimesh ndaj personave që synojnë të vëzhgojnë nga afër situatën në territoret palestineze.
Pas ndalimit, të gjithë anëtarët e delegacionit janë kthyer në Jordani dhe pritet të rikthehen në Kanada.