Vendosni fjalën kyçe....

BE-ja do lejojë makinat me naftë e benzinë përtej 2035-ës


Brukseli planifikon të heqë dorë nga ndalimi i Bashkimit Evropian për motorët me djegie të brendshme deri në vitin 2035, duke u lejuar prodhuesve të makinave të vijojnë të prodhojnë një numër të kufizuar makinash me benzinë dhe naftë pasi ndalimi ishte planifikuar të hynte në fuqi.

Ndalimi origjinal ishte parashikuar të detyronte prodhuesit e makinave të ulnin prodhimin e të gjitha automjeteve me motor me djegie të brendshme në zero deri në vitin 2035.

Por, sipas një rishikimi të ligjit që do propozohet nga Komisioni Evropian të martën, prodhuesit evropianë të makinave do lejoheshin 10 për qind të niveleve të emetimeve të vitit 2021, për sa kohë që plotësojnë kushte të caktuara.

Sipas dy zyrtarëve të përfshirë në bisedime, këto kushte mund të përfshijnë përdorimin e çelikut të gjelbër për prodhimin e automjeteve. Blloku mund të lejojë gjithashtu që makinat elektrike (EV) të përdorin zgjatues të rrezes së lëvizjes – motorë të vegjël karburanti rezervë – të cilët më parë ishin vendosur të ndaloheshin nga viti 2035.

Megjithatë, kushtet ende po diskutohen nga politikëbërësit përpara prezantimit të propozimit, dhe çdo ndryshim do duhet të miratohet nga qeveritë e BE-së dhe Parlamenti Evropian përpara se të bëhet ligj.

Ndalimi i BE-së për motorët me djegie të brendshme u pa si një pjesë kyçe e ligjit të klimës të Marrëveshjes së Gjelbër të bllokut. Prodhuesit e makinave bënë presion të fortë kundër tij, duke argumentuar se do ishte e pamundur për ta që ta përmbushnin për shkak të përshtatjes së ngadaltë të makinave elektrike dhe infrastrukturës së karikimit me mangësi.

Qeveritë, duke përfshirë Gjermaninë dhe Italinë gjithashtu kanë qenë shumë kritikë ndaj ndalimit, me kancelarin gjerman Friedrich Merz që tha premten se ai mbështet lehtësimin e tij.

“E vërteta është se do ketë ende miliona makina me motor me djegie në mbarë botën në 2035, 2040 dhe 2050,” tha ai.

Lëvizja e BE-së mund të rrisë presionin mbi qeverinë Laburiste të Britanisë për të bërë të njëjtën gjë, edhe pse Mbretëria e Bashkuar ka thënë se nuk do t’i zbusë planet e saj për të bërë që nga viti 2025 të gjitha makinat të jenë elektrike.

Vende të tjera si Spanja dhe Franca kanë mbështetur zbatimin e ndalimit në bllok. Në një dokument të përbashkët në tetor, Parisi dhe Madridi thanë se lëvizja e propozuar “nuk duhet të vihet në dyshim” dhe se e ardhmja e industrisë evropiane të makinave “do jetë elektrike”.

Megjithatë, të dy vendet avokuan për njëfarë fleksibiliteti si “super kreditet” për makinat e bëra me materiale evropiane për të lehtësuar presionin mbi industri, e cila gjithashtu po lufton me një fluks të makinave elektrike të lira kineze dhe çmime të larta të energjisë.

Komisioni ishte planifikuar të rishikonte rregullat vitin e ardhshëm, por e solli rishikimin më herët nën presionin e industrisë. Ai nuk pranoi të komentojë mbi bisedimet.

Ndryshimet vijnë edhe pse shitjet e makinave elektrike në BE janë rritur me 26 për qind nga janari deri në tetor të këtij viti, duke zënë 16 për qind të tregut të makinave të reja, sipas organit evropian të industrisë së makinave, Acea.

Rritja e fortë është nxitur nga modelet më të përballueshme si nga prodhuesit evropianë ashtu edhe ata kinezë.

Grupet mjedisore kanë argumentuar se heqja dorë nga ndalimi i 2035-ës tani do zgjeronte hendekun midis perëndimit dhe Kinës, e cila ka udhëhequr tranzicionin drejt makinave elektrike.

“Heqja e ndalimit do ishte një gabim i madh për Evropën,” tha Simone Tagliapietra, studiues i lartë në institutin Bruegel me qendër në Bruksel.

“Kjo nuk do ndihmonte shumë prodhuesit e makinave, pasi elektrifikimi është e ardhmja e industrisë, dhe do minonte seriozisht atë që ka mbetur nga reputacioni i Evropës si një udhëheqës global i klimës.”

Por prodhuesit nga BMË dhe Renault deri te Stellantis kanë argumentuar të gjithë se ritmi i kalimit ka qenë më i ngadaltë se sa pritej, ndërsa industria është nën presion shtesë pasi makinat elektrike sjellin më pak fitim sesa modelet tradicionale me motor me djegie të brendshme, shkruan FT.