
Kryeministri i Tajlandës, Anutin Charnvirakul, mori të premten miratimin mbretëror për shpërndarjen e Parlamentit, duke hapur rrugën për zgjedhje të parakohshme që pritet të mbahen në fillim të vitit të ardhshëm. “Dua t’ua kthej pushtetin qytetarëve,” shkroi ai në një postim të shkurtër në Facebook, ndërsa dekreti mbretëror nënvizoi se Dhoma e Përfaqësuesve shpërndahet për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të reja. Sipas ligjit tajlandez, zgjedhjet duhet të mbahen brenda 45–60 ditësh nga shpërndarja e parlamentit, periudhë gjatë së cilës Anutin do të drejtojë një qeveri kujdestare me kompetenca të kufizuara, përcjell DW.
Vendimi vjen në një moment të ndjeshëm, pasi përplasjet mes Tajlandës dhe Kamboxhias përgjatë kufirit kanë marrë përmasa alarmante. Që prej fillimit të javës, të paktën 19 persona janë vrarë në të dyja anët, ndërsa qindra mijëra banorë janë zhvendosur. Pavarësisht kësaj situate, Anutin ka deklaruar se shpërndarja e parlamentit nuk do të ndikojë në menaxhimin e konfliktit, megjithëse analistët paralajmërojnë se një qeveri kujdestare e ka të vështirë të marrë vendime strategjike në çështje sigurie.
Shpërndarja e parlamentit lidhet edhe me zhvillimet politike të brendshme. Anutin nga partia konservatore Bhumjaithai erdhi në pushtet në shtator, pasi paraardhësja e tij Paetongtarn Shinawatra u rrëzua për shkelje etike. Ai siguroi votat për t’u zgjedhur kryeministër falë mbështetjes së Partisë së Popullit, bllokut më të madh opozitar. Marrëveshja midis tyre parashikonte shpërndarjen e parlamentit brenda katër muajve, mbajtjen e një referendumi për ndryshime kushtetuese dhe hapa drejt zgjidhjes së konfliktit kufitar me Kamboxhian.
Qeveria e Anutinit ka qenë nën presion të fortë edhe për shkak të kritikave në rritje ndaj menaxhimit të përmbytjeve masive në jug të vendit, përmbytjet më të mëdha të viteve të fundit. Para fillimit të sesionit të ri parlamentar, opozita po shqyrtonte mundësinë e paraqitjes së një mocioni mosbesimi, duke e vendosur qeverinë në një pozitë të brishtë.
Në raportin zyrtar të publikuar në Gazetën Mbretërore, situata politike në vend u përshkrua si e ngarkuar me sfida dhe u theksua se një qeveri pakice nuk mund të administrojë vendin me efikasitet dhe stabilitet. Për këtë arsye, u konsiderua se shpërndarja e Parlamentit dhe thirrja e zgjedhjeve të reja ishte zgjidhja më e përshtatshme.
Në javët e ardhshme pritet të bëhet e qartë nëse Tajlanda do të arrijë të dalë nga kriza e brendshme politike dhe si do të ndikojë kjo situatë tek menaxhimi i përplasjes së nxehtë me Kamboxhian, që mbetet sfida më e menjëhershme për qeverinë kujdestare.