Vendosni fjalën kyçe....

Sulme ajrore e bombardime, India dhe Pakistani përplasen ashpër, ç’ka ndodhur deri tani mes dy fqinjëve bërthamorë


India nisi të enjten sulme ajrore kundër atyre që i konsideron si objektiva “terroriste” në Pakistan dhe në pjesën e Kashmirit të administruar nga Pakistani. Sulmet erdhën si kundërpërgjigje ndaj një sulmi vdekjeprurës militant muajin e kaluar ndaj turistëve, kryesisht indianë.

Në reagim, kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif autorizoi ushtrinë për të ndërmarrë veprime “vetëmbrojtëse”, duke theksuar se vendi do të ndërmarrë “masa përkatëse”.

Ministri i Mbrojtjes i Pakistanit, Khawaja Asif, paralajmëroi se veprimet e Indisë përbëjnë një “ftesë për të zgjeruar konfliktin”, por theksoi se Islamabadi po përpiqet të shmangë një luftë të plotë. Ai tha se sulmet e Pakistanit do të përqendrohen vetëm në objektiva ushtarake në Indi, jo civilë.

Nga ana tjetër, India po i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar, përfshirë Shtetet e Bashkuara, që të ushtrojë presion mbi Pakistanin për të ndalur mbështetjen e grupeve terroriste një akuzë që Pakistani e mohon. Kryeministri Narendra Modi ende nuk ka bërë një deklaratë publike për situatën, por ai ka zhvilluar një takim të nivelit të lartë me kabinetin e tij.

Sipas burimeve zyrtare, numri i të vdekurve në Pakistan dhe në pjesën e Kashmirit të administruar nga Pakistani është rritur në 31, ndërsa 57 të tjerë janë plagosur. Ndërkohë, bombardimet e natës nga forcat pakistaneze në anën indiane të Vijës së Kontrollit shkaktuan vdekjen e 12 civilëve dhe plagosjen e 57 të tjerëve, sipas një burimi të mbrojtjes indiane. Që nga sulmi i prillit, India dhe Pakistani kanë shkëmbyer zjarr pothuajse çdo ditë përgjatë kufirit të tyre të kontestuar.

Sharif ndërkohë ka lavdëruar forcat ajrore të vendit, pasi sipas burimeve ushtarake, ato rrëzuan pesë avionë luftarakë indianë. Zyrtarët indianë nuk e kanë komentuar ende këtë pretendim. Sidoqoftë, një zyrtar i lartë francez i inteligjencës tha se Pakistani rrëzoi një avion Rafale të Forcave Ajrore Indiane që do të ishte hera e parë që ky tip avionësh modernë francezë humbet në një përplasje luftarake.

Një burim i lartë i sigurisë pakistaneze tha se përplasja ajrore mes dy vendeve ishte “një nga më të mëdhatë dhe më të gjatat në historinë e kohëve të fundit të aviacionit ushtarak”, me gjithsej 125 avionë që morën pjesë në një betejë që zgjati më shumë se një orë, pa u futur asnjë palë në hapësirën ajrore të tjetrit.

India njoftoi se kishte goditur infrastrukturë që i përkiste dy grupeve militante të njohura: Lashkar-e-Tayyiba dhe Jaish-e-Mohammed (JeM). Masood Azhar, udhëheqësi i JeM, tha se në sulm u vranë 10 të afërm të tij, përfshirë pesë fëmijë. JeM është një grup i bazuar në Pakistan që vepron në të gjithë rajonin e Kashmirit dhe synon bashkimin e zonës së administruar nga India me Pakistanin.

Ky operacion përfaqëson një përshkallëzim të madh në marrëdhëniet tashmë të tensionuara mes dy fuqive bërthamore të Azisë Jugore. Sulmi përbën ndërhyrjen më të thellë të Indisë brenda territorit të Pakistanit që nga lufta e vitit 1971 – një nga konfliktet më të mëdha në historinë e marrëdhënieve Indo-Pakistaneze.

Kashmiri ka qenë një nga pikat më të nxehta të tensionit në marrëdhëniet midis Indisë dhe Pakistanit që prej momentit kur të dyja vendet fituan pavarësinë nga Britania në vitin 1947. Pakistani me shumicë myslimane dhe India me shumicë hindu të dy shtetet pretendojnë sovranitetin e plotë mbi rajonin e Kashmirit. Muaj pas pavarësisë, ata hynë në luftën e tyre të parë nga tri që do të pasonin, për këtë territor të diskutueshëm.

Në 1947 India dhe Pakistani shpallin pavarësinë nga Britania. Sundimtari i Kashmirit, fillimisht, zgjedh të qëndrojë i pavarur dhe të mos i bashkohet asnjërës palë. Por pas një pushtimi nga militantë pakistanezë, ai nënshkruan një marrëveshje për bashkim me Indinë. Pakistani nuk e njeh këtë dokument si të vlefshëm ligjërisht, duke shkaktuar luftën e parë. Në vitin 1949, të dy vendet bien dakord për një armëpushim dhe vendosin një vijë ndarëse, e njohur si Vija e Kontrollit.

Në 1965 India dhe Pakistani përballen sërish në një luftë për Kashmirin. Edhe kjo përplasje nuk solli zgjidhje përfundimtare të mosmarrëveshjes territoriale.

Në 1971 kjo ishte lufta më e madhe ndërmjet dy vendeve, e cila përfundoi me një humbje të rëndë për Pakistanin dhe me krijimin e shtetit të ri të Bangladeshit nga territori që më parë njihej si Pakistani Lindor.

Në 1999 të dy vendet u përfshinë në një konflikt të kufizuar në rajonin e Kargilit, pasi forca të armatosura nga Pakistani kaluan Vijën e Kontrollit dhe pushtuan disa zona strategjike në Kashmirin e administruar nga India.

VINI RE: Ky artikulll ështe pronësi intelektuale e CNN

Përshtati për Hashtag.al, Aurora Hoxha