Vendosni fjalën kyçe....

Standardet e jetës në BE në nivelin më të ulët në 40 vjet krahasuar me SHBA-në – Bloomberg


Nëse krerët e Bashkimit Evropian duan të kapërcejnë valën globale të populizmit që kërcënon demokracitë e tyre, ata duhet të ringjallin një ekonomi që ka dështuar prej kohësh të ofrojë mirëqenie. Për ta bërë këtë, ata fillimisht duhet të heqin dorë nga pengesat që vetë i kanë vendosur.

Evropianët vazhdimisht e renditin ekonominë si shqetësimin e tyre numër një. Është e lehtë të kuptohet pse. Që nga viti 2020, të ardhurat e një të rrituri tipik nuk kanë mbajtur hapin me inflacionin. Faturat e energjisë janë rreth 60% më të larta. Rritja e prodhimit të përgjithshëm ka arritur mesatarisht vetëm 1.2%, duke lënë standardet e jetesës – të matura me Produktin e Brendshëm Bruto për frymë – në nivelin më të ulët në më shumë se katër dekada krahasuar me SHBA-në.

Një udhërrëfyes i dobishëm për ta kthyer gjendjen ekziston tashmë, në formën e rekomandimeve që Mario Draghi, ish-kreu i Bankës Qendrore Evropiane, bëri vitin e kaluar me kërkesë të Komisionit Evropian.

Blloku, thuhet në raport, duhet të nxisë në mënyrë radikale investimet prodhuese në fusha si infrastruktura, energjia e pastër dhe startup-et, me më shumë se 750 miliardë euro në vit, publik dhe privat së bashku. Për këtë qëllim, i nevojitet një buxhet më i madh, i financuar idealisht pjesërisht nga bono të lëshuara bashkërisht.

Ajo duhet të bashkojë tregjet financiare të shteteve anëtare, të cilat tani për tani janë shumë të vogla dhe të copëzuara për të kanalizuar shkallën e kapitalit privat që bën SHBA-ja. Dhe duhet të shkurtojë rregulloret tepër të rënda, në mënyrë që paratë të mund të përdoren në mënyrë më efektive.

Megjithatë, premtimet për mbështetjen e planit nuk janë kthyer në veprime. Buxheti i propozuar afatgjatë i BE-së, i matur si një përqindje e ekonomisë, është mezi më i madh se ai i mëparshmi. Huamarrja e përbashkët është e kufizuar në një fond mbrojtjeje prej 150 miliardë eurosh, shumë larg tregut të bonove të BE-së, të thellë dhe likuid, që i mungon kontinentit.

Një treg i unifikuar kapitali mbetet i largët pasi shtetet anëtare – veçanërisht Gjermania – kundërshtojnë bashkimet ndërkufitare të bankave dhe sigurimin e përbashkët të depozitave që do ndihmonin në thyerjen e kufijve financiarë. Për sa i përket burokracisë, BE-ja ka shtyrë disa kërkesa për raportimin mjedisor, por ka bërë pak përparim në eliminimin e pengesave të mëdha, si ligjet divergjente tatimore, të falimentimit dhe ligjet e tjera.

Problemi themelor: Krerët kombëtarë nuk duan të lëshojnë kontrollin. Ata, në mënyrë të kuptueshme, parapëlqejnë të vendosin rregullat e tyre, të favorizojnë bankat e tyre, të vendosin se si mund të veprojnë dhe investojnë kompanitë në territorin e tyre. Ata shqetësohen se BE-ja do keqshpenzojë fondet e tyre ose do shpëtojë depozituesit diku tjetër në kurriz të tyre.

Megjithatë, ata kanë fuqi të bollshme në nivel të BE-së për të adresuar shqetësimet e arsyeshme, të cilat nuk duhet t’i verbojë ndaj përfitimeve që unioni është ende në pozicionin më të mirë për t’i ofruar.

Në çastet vendimtare, krerët e Evropës kanë treguar se mund t’i lënë mënjanë interesat e ngushta dhe të bashkëpunojnë, shpesh me efekte të mëdha. Gjatë krizës së borxheve të viteve 2010, ata arritën të krijonin mbikëqyrje të përbashkët bankare, e cila që atëherë është provuar gjerësisht efektive. Gjatë pandemisë globale, ata krijuan një fond të përbashkët rimëkëmbjeje që mbështeti rritjen dhe bëri disa përparime në arritjen e reformave strukturore shumë të nevojshme.

Ata tani po përballen me një tjetër krizë, këtë herë politike. Populistët e krahut të djathtë, duke përfituar nga pakënaqësia me udhëheqjen joefektive, kanë fituar tashmë një pjesë votash mjaft të madhe për të kufizuar rëndë aftësinë e partive kryesore për të qeverisur. Nëse qendristët e Evropës nuk bashkojnë forcat për të treguar përparim të matshëm brenda pak viteve të ardhshme – veçanërisht për çështjet ekonomike – ka shumë mundësi që ata të përfshihen nga vala.

Ndonjëherë ata duket se e kuptojnë rëndësinë e gjendjes. Gjermania, për shembull, ka zbutur kundërshtimin e saj ndaj një rregullatori të vetëm të letrave me vlerë, dhe Kancelari Friedrich Merz kohët e fundit bëri thirrje për një bursë mbarëevropiane – të dyja elemente kyçe të një unioni të tregjeve të kapitalit. Ai dhe krerët e tjerë evropianë duhet t’i përmbushin këto dhe shumë më tepër. Një BE më efektive nuk është vetëm e mirë për rritjen,  ajo është thelbësore në interesat e tyre kombëtare.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Bloomberg

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani