Vendosni fjalën kyçe....

Alimehmeti sqaron takimin e demokratëve: PD është e uritur për dialog, strukturat nuk po mblidhen



Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti, i ftuar në emisionin “Studio24”, ka komentuar takimin e shumëdiskutuar të disa prej eksponentëve demokratë më të votuar në primaret dhe listat e hapura të zgjedhjeve të 11 majit. Ai sqaroi se ky takim nuk ka qenë një veprim jashtë strukturave të partisë, por një përpjekje për të ngritur një zë që, sipas tij, prej muajsh nuk po dëgjohet në forumet drejtuese të PD-së.

Alimehmeti tha se PD historikisht është ndërtuar mbi diskutimin me njerëzit, ndërsa theksoi se fjala dhe vota janë themeli i saj. Ai nënvizoi se përfaqësuesit që kanë marrë mbështetjen e qytetarëve kanë përgjegjësi të përcjellin zërin e tyre më lart, por për shkak të formulimeve të reja të kodit zgjedhor shumë prej tyre nuk kanë përfunduar në Parlament, duke mbetur pa përfaqësim institucional.

“Fjala e tyre përfaqëson shumë njerëz, prandaj duhej dëgjuar. Tashmë, 6 muaj e gjysmë pas zgjedhjeve, kjo nuk ka ndodhur,” tha ai. Sipas tij, komunikimi me demokratët në terren ka nxjerrë të njëjtin problem: mungesë forumi, mungesë reflektimi dhe mungesë hapësire institucionale për diskutim.

Duke iu përgjigjur debatit për vendin ku u mbajt takimi, Alimehmeti tha se në kulturën shqiptare shumë punë bëhen në kafe, por theksoi se ajo që ka rëndësi është përmbajtja: “Duket sikur të flasësh është gabim. Është e drejtë që njerëzit që ishin pjesë e asaj tavoline të sqarojnë çfarë ka ndodhur.”

Një kritikë e drejtpërdrejtë e tij iu adresua mënyrës së funksionimit të partisë, duke deklaruar se strukturat nuk po mblidhen prej kohësh. Ai bëri të ditur se Këshilli Kombëtar nuk është mbledhur për 9 muaj, pavarësisht zhvillimeve të rëndësishme politike që kërkonin reagim dhe vendimmarrje.

“Kanë ndodhur zgjedhjet e 11 majit, të denoncuara nga të gjithë. Ka shpërthyer rasti ‘Balluku’, një skandal i madh që Këshilli Kombëtar duhej ta diskutonte. Ka pasur protesta. I mbështesim, por duhet të jenë të fuqishme. Po të ishte mbledhur Këshilli Kombëtar, do të kërkohej reagim më i fortë dhe mobilizim më i madh,” u shpreh ai.

Alimehmeti shtoi se grupi prej 15 personash që u takua ka synuar thjesht të çojë përpara idetë dhe shqetësimet që demokratët në bazë kërkojnë të dëgjohen. Sipas tij, reagimi i madh ndaj këtij takimi tregon se “terreni brenda PD-së ka qenë i uritur për dialog”.

“Ne e dimë çfarë folëm. Jemi 15 vetë, të gjithë të pavarur. PD ka fjalën e lirë. Po të shihni çfarë themi ne dhe titujt që na vendosin, janë të kundërta,” tha Alimehmeti, duke nënvizuar se kërkesa e vetme është respektimi i strukturave të partisë.

Ai përjashtoi kategorikisht krijimin e një grupimi të ri brenda PD-së, duke shtuar se qëllimi është vitalizimi i partisë që të ofrojë një alternativë të besueshme qeverisëse.