Vendosni fjalën kyçe....

Zelensky do të vizitojë Parisin të hënën për bisedime me Macron mbi paqen në Ukrainë



Të shtunën, Elizeu njoftoi se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të udhëtojë drejt Parisit të hënën, ku do të pritet nga presidenti francez Emmanuel Macron, përcjell Euronews.

Në një deklaratë, zyra e Macron tha se të dy liderët do të “diskutojnë situatën dhe kushtet për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, në vazhdim të bisedimeve të Gjenevës, planit amerikan dhe në koordinim të ngushtë me partnerët europianë”.

“Ne do të mirëpresim presidentin Zelensky në Paris të hënën për të çuar përpara negociatat,” tha ministri i Jashtëm francez Jean-Noël Barrot për mediat lokale.

Sipas Barrot, “paqja është brenda mundësive, nëse Vladimir Putin heq dorë nga shpresa e tij delirante për të rindërtuar Perandorinë Sovjetike duke nënshtruar fillimisht Ukrainën”.

Njoftimi vjen në një moment kur një delegacion ukrainas ndodhet në Shtetet e Bashkuara për të diskutuar planin amerikan të paqes. Zelensky ka deklaruar se pret një raport përfundimtar këtë të diel.

Po gjatë kësaj jave, negociatorët amerikanë pritet të udhëtojnë drejt Moskës.

Aleatët europianë të Kievit janë të vendosur të luajnë një rol të rëndësishëm në negociatat që po zhvillohen. Takimi i fundit i grupit të vendeve të gatshme për të mbështetur Ukrainën u zhvillua të martën.

Zelensky vizitoi së fundmi Francën edhe në kuadër të forcimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes mes dy vendeve.