Vendosni fjalën kyçe....

Sekretari amerikan i Mbrojtjes: Duam ta shohim Rusinë të dobësuar, që të mos bëjë më të njëjtën gjë si në Ukrainë


Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd J. Austin III tha se ai dëshironte të sigurohej që Rusia nuk do të ishte në gjendje të ‘bënte gjërat që ka bërë’ gjatë pushtimit ose të rindërtonte kapacitetin e saj ushtarak. Ai pasqyroi një qëndrim gjithnjë e më të guximshëm nga administrata Biden.

Zyrtari më i lartë i mbrojtjes amerikane tha se Rusia kishte pësuar humbje të konsiderueshme ushtarake në Ukrainë, duke përfshirë ‘shumë trupa’ dhe se Pentagoni po punonte për të siguruar që Rusia të mos ketë aftësinë për t’u fuqizuar më shumë.

Duke folur pas një vizite të fshehtë në kryeqytetin ukrainas, Kiev, Lloyd J. Austin III, Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, tha se do të kishte një diskutim më të hollësishëm rreth asaj se çfarë do t’i duhej Ukrainës për të mbizotëruar kundër Rusisë.

“Ne duam ta shohim Rusinë të dobësuar në atë masë që të mos jetë në gjendje të bëjë më atë që bëri në Ukrainë.” – tha ai.

Në dy muajt që nga fillimi i luftës, administrata Biden ka rritur në mënyrë të vazhdueshme ndihmën ushtarake, ndërsa në të njëjtën kohë ka vendosur sanksione më të gjera që synojnë të gjymtojnë ekonominë ruse.

Pohimi nga zyrtarët më të lartë të mbrojtjes së SHBA-së se Amerika dëshiron të degradojë makinën ruse të luftës pasqyroi një qasje gjithnjë e më të guximshme nga administrata Biden.

Austin, i cili bëri komentet e tij gjatë një konference të shkurtër shtypi në kufirin polako-ukrainas, iu bashkua Sekretarit të Shtetit Antony J. Blinken, i cili tha se Rusia kishte dështuar në qëllimin e saj për të shkatërruar shtetin ukrainas.

Diplomatët amerikanë së shpejti do të kthehen në Ukrainë, tha Blinken i cili shtoi se pret që ambasada amerikane në Kiev të rihapte brenda disa javësh.

“Rusia po dështon. Ukraina po ia del mbanë.” – theksoi ai.