Vendosni fjalën kyçe....

Kuvendi pritet të shpallë vakancën për tre anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë


Kuvendi i Shqipërisë do të shpallë e tre vendeve vakante në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Projektvendimi pritet të miratohet këtë javë nga Komisioni Kuvendor për Ekonominë, Punësimin dhe Financat.

Në muajin dhjetor, do të përfundojnë mandatet e anëtarëve të propozuar nga Kuvendi, Artan Hoxha, Violeta Staka dhe Luljeta Minxhozi, që mban njëkohësisht edhe detyrën e zëvendësguvernatores së parë të Bankës së Shqipërisë.

Luljeta Minxhozi dhe Artan Hoxha u zgjodhën në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë në dhjetor 2018 dhe në dhjetor të këtij viti përfundojnë mandatin e plotë shtatëvjeçar.

Violeta Staka u zgjodh në Këshillin Mbikëqyrës më dhjetor 2020, për të përfunduar mandatin e ndërprerë të ish-anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës, Arben Malaj.

Ndërkohë, po në muajin dhjetor të këtij viti, përfundojnë edhe mandatet e tre anëtarëve të tjerë të Këshillit Mbikëqyrës, të propozuar nga Këshilli i Ministrave. Këto mandatet mbahen aktualisht nga Edlira Luçi, Suela Popa dhe Ridvan Bode. Pavarësisht se mandatet përfundojnë në muajin dhjetor, Këshilli i Ministrave nuk ka shpallur ende zyrtarisht vakancën për kandidatët e interesuar.

Sipas ligjit “Për Bankën e Shqipërisë, të gjithë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë. Pesë prej anëtarëve propozohen nga Kuvendi, tre anëtarë propozohen nga Këshilli i Ministrave dhe një anëtar propozohet nga vetë Këshilli Mbikëqyrës.

Ligji parashikon që kandidatët për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës duhet të jenë persona që gëzojnë ndershmërinë dhe pastërtinë morale, si dhe që kanë arsimin e lartë ekonomik ose juridik; përvojë profesionale në çështje financiare dhe bankare; kualifikime profesionale të profilit; përvojë pune mbi pesë vjet në administratën publike ose në institucionet financiare dhe bankare.

Sipas ligjit, funksioni i anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës është i papajtueshëm me funksionin e punonjësit, administratorit dhe aksionarit, me pjesëmarrje ndikuese në bankën e nivelit të dytë ose në subjektet që licencohen nga Banka e Shqipërisë.

Afati i qëndrimit në detyrë për çdo anëtar të Këshillit Mbikëqyrës është shtatë vjet.

Njëkohësisht, Komisioni Kuvendor për Ekonominë, Punësimin dhe Financat ka shpallur edhe vakancën për pozicionin e Inspektorit të përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë. Ky pozicion mbahet aktualisht nga Merita Bejtja, që e mori mandatin e saj pesëvjeçar në dhjetor 2020.

Inspektori i përgjithshëm duhet të jetë ekonomist me arsim të lartë dhe të ketë punuar në sistemin bankar jo më pak se shtatë vjet. Inspektori i përgjithshëm drejton Departamentin e Kontrollit të Bankës së Shqipërisë, që ka për detyrë të ushtrojnë kontroll kontabël të brendshëm, si dhe të kryejnë kontrolle të brendshme periodike për administrimin dhe operacionet e Bankës së Shqipërisë, me qëllim që të sigurojnë mbarëvajtjen e zbatimit të ligjeve dhe të akteve nënligjore./ E.Shehu

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor