
Në një seancë të tensionuar parlamentare, nënkryetari i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, ka akuzuar qeverinë se projektbuxheti i vitit 2026 përfaqëson një akt të hapur braktisjeje ndaj qytetarëve të Veriut.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, ai denoncoi mungesën e investimeve në infrastrukturë, energji, bujqësi dhe turizëm, duke e cilësuar dokumentin financiar si një “buxhet propagande”.
“Buxheti nuk është letër. Buxheti është drita ose errësira e qytetarëve. Është mirëqenie ose mjerim. Është shpresë ose braktisje,” deklaroi Gjekmarkaj, duke shtuar se Lezha, Mirdita dhe Kurbini marrin vetëm thërrime, ndërsa fondet përfundojnë tek një grusht biznesmenësh të lidhur me pushtetin.
Ai solli në vëmendje përmbytjet e ditëve të fundit në Mamurras, Zejmen dhe Pllanë, duke theksuar se një shi i vetëm mjaftoi për të nxjerrë në pah dështimin e sistemit të drenazhit dhe mungesën e mirëmbajtjes së hidrovoreve.
“Kjo nuk është natyrë. Kjo është keqmenaxhim, është mungesë investimesh, është dështim buxhetor,” u shpreh ai.
Gjekmarkaj akuzoi qeverinë për shpërndarje klienteliste të fondeve bujqësore, duke thënë se “fermeri i ndershëm nuk ka parë asnjë ndihmë”, ndërsa prodhimet po kalben në fushë. Ai denoncoi edhe situatën në turizëm, ku sipas tij mungesa e fuqisë punëtore dhe emigrimi po dëmtojnë zonat si Shëngjini dhe Tale.
Në sektorin e arsimit, ai përmendi mbylljen e shkollave dhe zbrazjen e fshatrave në Mirditë, ndërsa në ndihmën sociale dhe pensione, qindra familje sipas tij jetojnë në varfëri ekstreme pa asnjë rritje reale të mbështetjes.
“Ky buxhet nuk është i juaji. Ky buxhet nuk është për ju. Ky buxhet nuk zgjidh asnjë nga problemet që ju prekin përditë,” tha Gjekmarkaj, duke i bërë thirrje SPAK-ut dhe institucioneve të drejtësisë të hetojnë çdo fond dhe tender që ka prodhuar “varfëri, përmbytje, shkatërrim e emigrim”.= tha ai.
Në përmbyllje, ai theksoi se Veriu nuk kërkon më premtime, por investime reale: “Veriu nuk do thërrime. Veriu nuk do propagandë. Veriu nuk do fasada. Veriu meriton buxhet të drejtë, shkolla që nuk mbyllen, bujqësi që prodhon e fiton, turizëm që punëson, pensione të ndershme dhe një qeveri që punon, jo që mashtron.”