
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, gjatë fjalës në protestën e sotme para Kryeministrisë, deklaroi se foltorja e opozitës “do t’ia dalë”, duke u mbështetur tek dy momente kyçe që sipas tij kanë provuar forcën mobilizuese të kësaj lëvizjeje.
Këlliçi riktheu në vëmendje shtatorin e vitit 2021, kur, siç u shpreh ai, “Shqipëria rrezikohej të mbetej pa opozitë”, ndërsa falenderoi ish-kryeministrin Sali Berisha për ringritjen e strukturave demokrate.
Ai gjithashtu përmendi zgjedhjet e 14 majit 2023 dhe protestat e mëvonshme kundër Bashkisë së Tiranës, duke nënvizuar se sipas tij, denoncimet e vazhdueshme çuan në arrestimin e Erion Veliajt.
“Arsyeja pse kjo foltore do ja dali është se kemi dy precedentë. Foltorja e parë e shtatorit 2021 kur Shqipëria rrezikohej të mbetej pa opozitë. Ishte foltore e drejtuar nga dr. Berisha që riktheu shpresën në PD dhe ja doli të shpëtonte opozitën vetëm brenda tre muajve. Ishte foltore që nisi me 1/100 e njerëzve që janë sot prezent këtu dhe përfundoi në Kuvendin Kombëtar të PD në Air Albania. Ja doli t’i rikthente shpresën qytetarëve dhe të mbajë në këmbë PD.”- u shpreh ai.
Ai vijoi duke kujtuar vitin 2023 duke thënë se: “Ka një precedent të dytë. Në 14 maj 2023 u organizuan zgjedhjet më të barabarta. Kandidatët e PD garuan pa fonde, pa komisionerë, pa emrin e kryetarit dhe mori 500 mijë vota. Dhe në pak muaj më pas nisi seria e denoncimeve ndaj asaj që ishte kthyer në Bashkinë e Tiranës 5D. Për 44 javë, në shi e në diell, më pak se 1/10, jemi përbaltur, na kanë quajtur të shitur… dhe janë të njëjtat media që sulmuan PD-në në 2021 dhe e sulmuan sërish në 2023. Por protesta jonë ja doli që Erion Veliaj, kreu i 5D, të përcillej drejt burgut.”