Vendosni fjalën kyçe....

Twitter rikthen llogaritë e pezulluara të gazetarëve


Elon Musk thotë se llogaritë e disa gazetarëve që ai i pezulloi nga kompania e tij e mediave sociale, “Twitter”, do të rikthehen.

Gazetarët e New York Times, CNN dhe Washington Post ishin në mesin e atyre që u pezulluan nga rrjeti social, pasi publikonin të dhëna rreth vendodhjes së Musk.

Por mes kritikave në rritje, Musk i pyeti përdoruesit e Twitter-it se çfarë duhej të bënin më pas. Dhe 59% e 3.6 milionë njerëzve që morën pjesë në sondazh, votuan për heqjen e ndalimit menjëherë.

“Njerëzit kanë folur. Llogarive që kanë zbuluar vendndodhjen time do t’u hiqet pezullimi tani.”- shkroi ai në Twitter.

Ndalimi i këtyre llogarive u dënua nga BE dhe OKB.

Megjithatë, llogaria @ElonJet mbetet e pezulluar. Pronari 20 vjeçar i llogarisë, Jack Sweeney, përdori informacione të disponueshme publikisht të gjurmimit të fluturimeve për të postuar në Twitter sa herë që avioni i Musk ngrihej dhe ulej.

Musk kishte fajësuar llogarinë për një incident ku “një përndjekës i çmendur” kishte përplasur djalin e tij ndërsa udhëtonte me një makinë.

Të enjten, Musk tha se po ndërmerren veprime ligjore kundër Sweeney dhe të tjerëve. Politika e privatësisë së Twitter-it u përditësua gjithashtu duke thënë se përdoruesit “nuk mund të publikojnë ose postojnë informacione private të njerëzve të tjerë pa autorizimin dhe lejen e tyre”.

Disa nga gazetarët e pezulluar në Twitter kishin raportuar për incidentin që përfshinte llogarinë e gjurmimit të avionëve. Pas pezullimeve, organe të tilla si BE dhe OKB, si dhe qeveritë dhe gazetarët, e dënuan masën. “Liria e medias nuk është një lodër.”- tha nënsekretarja e përgjithshme e OKB-së Melissa Fleming. “Shtypi i lirë është gur themeli i shoqërive demokratike dhe një mjet kyç në luftën kundër dezinformatave të dëmshme”.

Komisionerja e BE-së Vera Jourova e kishte kërcënuar Twitter-in me sanksione sipas Aktit të ri të Shërbimeve Dixhitale të Evropës, i cili kërkon “respektimin e lirisë së medias dhe të drejtave themelore”.