
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, mbajti një leksion të hapur në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Hagë, ku foli për historinë dhe transformimin e Shqipërisë nga një vend i izoluar në një partner të barabartë në Europë.
Ajo ndau me studentët dhe pedagogët përvojat historike dhe ndryshimet që kanë bërë vendin më të hapur dhe atraktiv për turistët, duke e shfaqur Shqipërinë si një destinacion kryesor turistik dhe si shembull i zhvillimit europian.
Postimi i plotë:
Më shijoi biseda me studentë dhe pedagogë të Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Hagë.
Për rastësi, në të njëjtin vit të themelimit të këtij universiteti në 1987, fotografi holandez Piet den Blanken fiksoi me objektivin e tij, imazhin e një fëmije të varfër pesëvjeçar, që mundohej të blinte një bukë në Shqipërinë e kohës.
Sot me dhjetra e qindra fotografë holandezë vizitojnë vendin tonë për të dëshmuar një tjetër Shqipëri, destinacionin krysor turistik të Europës, me mbi gjysmë milioni turistë holandezë në vitet 2024-25.
Me të rinjtë e studimeve europiane ndamë pikërisht historinë e Shqipërisë si një prej transformimeve më mbresëlënëse në tokën europiane, nga vendi më i izoluar i kontinentit, në partnerin që prodhon garanci për anëtarësim të shpejtë si i barabartë mes kombeve europiane.