
Kryeministri Rama deklaroi sot se drejtësia e pavarur dhe integrimi në BE janë dy misionet historike të PS-së për t’u lënë fëmijëve shqiptarë një të ardhme më të mirë.
Në monologun para anëtarëve të PS-së të mbledhur në Pallatin e Kongreseve kreu i qeverisë falënderoi të gjithë socialistët ndër vite si dhe patronazhistët.
“Sado e dhimbshme të jetë mungesa e tij, sado e padrejtë të na duket ne, ne jemi këtu për të bërë histori, për t’u lënë fëmijëve tanë një Shqipëri tjetër. Jemi këtu për një mision që Fatos Nano e la pas daljes nga burgu, për të kërkuar shtet. Ai nuk donte hakmarrje, por sakrifikoi shumë për të ndërtuar shtet. Shqipëria në BE kërkon sakrifica të të gjitha llojeve dhe drejtësia është e vetmja sakrificë reale që politikanët bëjnë kur kanë fuqi, sepse dorëzojnë pushtet duke i dhënë drejtësisë shpatën që mund t’u vijë te koka e vet.” – tha Rama.
“Kryetarin e vet e pati në burg për disa vite, politikisht të dënuar. Fatos Nano ka një kontribut të jashtëzakonshëm, sepse doli nga burgu duke kërkuar shtet jo hakmarrrje, me sensin e tij të lidershipit dhe përgjegjësisë. Më besoni që nuk ka qeveri që hyri në histori se ndërtoi rrugë, një qeveri hyn në histori përsa ka kapacitet të ndërtojë shtet. Sot ne jemi këtu në 35-vjetorin e PS-së së Tiranës, pikërisht sepse nuk jemi si ata të tjerët. Nuk jemi duke kërkuar lirimin e të burgosurit Erion Veliaj, sepse kjo nuk është çështja jonë. Sado e padrejtë të na duket ne, jemi këtu për t’i lënë fëmijëve tanë një Shqipëri tjetër”, shtoi Rama.