
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot gjatë prezantimit të Identitetit Digjital se Shqipëria e vitit 2030 do të jetë “në një nivel krejt tjetër”, falë përdorimit të inteligjencës artificiale dhe teknologjisë digjitale në shërbimet publike.
Rama u ndal veçanërisht tek sistemi shëndetësor dhe ai arsimor, duke theksuar se teknologjia do të sjellë “premisa të reja” për qytetarët, të cilët do të përfitojnë shërbime më të shpejta dhe cilësore.
“Besojmë se përmes teknologjisë dhe inteligjencës artificiale do të mund të krijojmë kushte dhe premisa tërësisht të reja për shërbimin shëndetësor, për mundësinë e kujtdo për të pasur një vëzhgim dhe trajtim cilësor, pavarësisht gjeografisë ku ndodhet. Po ashtu edhe për sistemin arsimor, për digjitalizimin e transporteve dhe sektorëve të tjerë jetikë”, tha Rama.
Kryeministri foli edhe për projektin “Smart City”, që sipas tij do të ndihmojë në monitorimin digjital të trafikut, mbledhjen e të dhënave për rendin publik dhe luftën kundër kriminalitetit.
“Po ecim me hapa të shpejtë për zbatimin e projektit të Smart City, që do të na ndihmojë të kemi pamje më të qarta për ligjshmërinë, luftën kundër kriminalitetit dhe ecurinë e jetës së përditshme në shkolla. Prindërit do të kenë mundësi të ndjekin në kohë reale sjelljen dhe progresin e fëmijëve të tyre”, shtoi ai.
Në përfundim të fjalës së tij, Rama theksoi se qëllimi kryesor i qeverisë është fuqizimi i qytetarit përmes digjitalizimit dhe thjeshtimit të procedurave të përditshme.
“Ne do ta çojmë Shqipërinë në 2030 në një nivel krejt tjetër nga ky i sotmi. Do ta fuqizojmë qytetarin, duke i lehtësuar jetën e përditshme dhe duke bërë më të shpejta ndërveprimet që sot kërkojnë kohë dhe stres”, përfundoi kryeministri.