Vendosni fjalën kyçe....

NATO rrit vigjilencën në Baltik pas inkursionit me dronë në hapësirën ajrore të Danimarkës



NATO ka rritur masat e sigurisë në rajonin e Baltikut pas raportimeve nga Kopenhaga për një inkursion të dronëve në hapësirën ajrore të Danimarkës, njoftoi një zëdhënës i aleancës ushtarake perëndimore.

Masat shtesë përfshijnë vendosjen e disa platformave të inteligjencës, mbikëqyrjes dhe zbulimit, si dhe praninë e të paktën një fregate kundërajrore në zonën pranë perëndimit të Rusisë, tha zëdhënësi i NATO-s, Martin O’Donnell, gjatë një konference për media.

Ai shtoi se udhëheqësia e NATO-s ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet daneze lidhur me incidentet e fundit me dronë, të cilat vijnë si pjesë e një seri shkeljesh të hapësirave ajrore të vendeve anëtare të aleancës.

Incidentet me dronë në Danimarkë dhe Norvegji që nisën nga e hëna kanë shkaktuar edhe mbylljen e disa aeroporteve në këto vende. Autoritetet daneze kanë dhënë indikacione se pas këtyre incidenteve mund të qëndrojë Rusia.

Në javët e fundit, disa vende të NATO-s kanë akuzuar avionë luftarakë dhe dronë rusë për shkelje të hapësirave të tyre ajrore në Evropë, duke akuzuar Moskën për provokim dhe testim të përgjigjes së aleancës.

Megjithatë, Rusia mohoi çdo përgjegjësi për këto incidente. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, paralajmëroi më 27 shtator se Rusia do të përgjigjej vendimtarisht ndaj çdo agresioni ndaj saj.