Vendosni fjalën kyçe....

Tre vajza të mitura në Korçë shtrohen në spital pas konsumimit të karameleve të dyshuara me esencë kanabisi



Një ngjarje shqetësuese ka tronditur komunitetin lokal, pasi tre vajza të mitura, të moshave 3, 7 dhe 10 vjeç, janë shtruar në spital pas konsumimit të karameleve të dyshuara se përmbanin esencë kanabisi.

Sipas raportimeve zyrtare nga Policia e Korçës, karamelet janë gjetur pranë një koshit të mbeturinave dhe nuk kanë ardhur nga ndonjë person tjetër. Të tre motrat i kanë konsumuar ato në mënyrë të pavetëdijshme, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.

Burime nga stafi mjekësor i spitalit të Korçës bëjnë me dije se më e rënduar nga vajzat është 3 vjeçarja, e cila është intubuar dhe ndodhet në reanimacion. Dy motrat e tjera, 7 dhe 10 vjeç, janë jashtë rrezikut për jetën dhe po marrin kujdesin e nevojshëm në repartin e pediatrisë.

Autoritetet kanë nisur hetimet dhe po marrin në pyetje familjarët dhe të afërmit për të zbuluar se si këto karamele përfunduan në zonën ku po luanin fëmijët.

Ngjarja ngrit shqetësime për sigurinë e fëmijëve dhe nevojën për rritjen e vëmendjes ndaj mjediseve publike ku ata lëvizin lirshëm.