Vendosni fjalën kyçe....

Keir Starmer dënon sulmin izraelit në Katar: Rrezikon përshkallëzim të mëtejshëm në Lindjen e Mesme


 

Lideri i Partisë Laburiste britanike, Sir Keir Starmer, ka dënuar ashpër sulmin izraelit në Katar që kishte në shënjestër drejtues të lartë të Hamasit, duke paralajmëruar për një përshkallëzim të mëtejshëm të dhunës në rajon, përcjell The Independent.

Në një postim në rrjetin social X, Starmer shkroi:
“Dënoj sulmet e Izraelit në Doha, të cilat shkelin sovranitetin e Katarit dhe rrezikojnë përhapjen e mëtejshme të konfliktit në rajon. Prioritet duhet të jetë një armëpushim i menjëhershëm, lirimi i pengjeve dhe dërgimi urgjent i ndihmave humanitare në Gaza.”

Komentet e tij vijnë një ditë para takimit të planifikuar mes Kryeministrit britanik dhe Presidentit izraelit Isaac Herzog në Londër.

Forcat izraelite thanë të martën se kishin realizuar një “sulm të saktë kundër udhëheqjes së lartë të organizatës terroriste Hamas”, pa përmendur drejtpërdrejt Katarin – vend që ka qenë ndërmjetës kyç në negociatat mes Izraelit dhe Hamasit që nga fillimi i luftës në tetor 2023.

Një zëdhënës i Downing Street deklaroi se Britania nuk kishte dijeni paraprake për operacionin, duke theksuar se ishte një “veprim i pavarur izraelit”. Ai shtoi se qëllimi i qeverisë britanike mbetet “të ndalojë vuajtjet në Gaza përmes një armëpushimi të menjëhershëm, lirimit të pengjeve dhe rritjes së ndihmës humanitare.”

Ndërkohë, Sekretari britanik i Shëndetësisë, Wes Streeting, shkoi më tej, duke thënë se Presidenti izraelit Herzog duhet të “përgjigjet për akuzat për krime lufte, spastrim etnik dhe gjenocid” në Gaza.

Qeveria britanike zyrtarisht nuk e ka akuzuar Izraelin për gjenocid, duke deklaruar se nuk ka prova të mjaftueshme për të përcaktuar se ka pasur qëllim të tillë, sipas përkufizimit ligjor të Konventës për Gjenocidin.

Të hënën në mbrëmje, Sir Keir priti në Downing Street Presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas. Gjatë takimit, Starmer theksoi angazhimin e tij për njohjen e shtetit palestinez nëse nuk ka përparim deri në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së këtë muaj.

Të dy liderët ranë dakord se Hamas nuk do të ketë asnjë rol në të ardhmen politike të Palestinës dhe diskutuan nevojën për reforma brenda Autoritetit Palestinez si pjesë e një zgjidhjeje afatgjatë për paqen në rajon.