
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ka cilësuar si një “akt historik” thirrjen e presidentit amerikan Donald Trump për burgosjen e financierit George Soros dhe të birit të tij, Aleksis Soros, duke i akuzuar ata si “organizatë kriminale” që ka vepruar kundër rendit dhe sigurisë në SHBA dhe në mbarë botën.
“Në një akt historik, presidenti i SHBA akuzoi dje, bazuar në aktin ligjor të RICO-s, Xhorxh Sorosin dhe djalin e tij, ekstremist të majtë, Aleksis Soros, si organizatë kriminale që kanë ushtruar një veprimtari intensive kundër rendit dhe sigurisë së SHBA. Xhorxh Sorosi dhe i biri i tij janë sot mbështetja kryesore e grupeve kryesore dhe ideologjisë marksiste dhe post-marksiste në SHBA dhe në botë,” u shpreh Berisha.
Ai rikujtoi se prej vitesh ka paralajmëruar për ndikimin e Soros në politikën shqiptare dhe ka kërkuar ndalimin e aktivitetit të tij jashtë SHBA-së. “Unë vij sot edhe për të rikujtuar se tetë vite më parë e kam shpallur Sorosin një monstër të njerëzimit. I kam kërkuar publikisht Senatit dhe Kongresit të SHBA që të ndalojnë me ligj veprimtarinë e tij kriminale, antidemokratike jashtë SHBA. Të njëjtën kërkesë i kam paraqitur publikisht edhe Parlamentit Europian. Për Shqipërinë, e kam konsideruar dhe e konsideroj atë një armik të egër të demokracisë shqiptare,” theksoi ai.
Berisha akuzoi Sorosin për mbështetje ndaj asaj që e quajti “organizatë kriminale të kryesuar nga Edi Rama”, përmes lobimeve dhe fondeve të tij financiare.
“Gjatë këtyre viteve ai përdori të gjithë fuqinë e tij politike, monetare kundër demokracisë në Shqipëri, në mbështetje të një organizate kriminale që kryesohet nga Edi Rama. Por rikujtoj shqiptarët se Soros dhe i biri, pas Nju Jorkut, kryeqytetin e dytë më të rëndësishëm në botë kanë pasur Tiranën,” tha Berisha.
Ai akuzoi gjithashtu Sorosin dhe fondacionet e tij se kanë ndikuar në ndryshimin e rendit demokratik dhe të Kushtetutës së vendit: “Në Tiranë, ata, me investimet e tyre të pakufishme financiare, me lobimet e tyre kriminale, arritën të transformojnë rendin demokratik dhe Kushtetutën e vendit. Për të konsoliduar pushtetin e krimit të Edi Ramës, Xhorxh Soros, fondacioni i tij dhe i biri i tij, u angazhuan në të ashtuquajturat reforma që kishin vetëm një qëllim: monizmin dhe narkoshtetin në Shqipëri.”
Berisha shtoi se Soros dhe i biri kanë pasur ndikim të madh edhe në arenën ndërkombëtare: “Ata ndikuan shumë në administratën e Xho Bajden, por ndikuan edhe në kancelari të tjera. Ata u bënë mbështetje kryesore e dhunimit të zgjedhjeve dhe pranimit të zgjedhjeve të dhunuara pa u numëruar ende votat siç ishte rasti i vitit 2021. Ata u bënë mburojë e kanabizimit të plotë të vendit dhe më vonë hapjes së karteleve të drogës, më të fuqishme në Europë.”
Në vijim, ai ngriti akuza edhe për vizitat e Aleksis Sorosit në Shqipëri: “Shtoj këtu se ai dyshim i madh që ekziston për udhëtimet me çarter të Edi Ramës, 140 udhëtime në 2 vite, për të cilat ka indicie se janë transportuar para dhe drogë me valixhe diplomatike, dyshime shumë serioze ngrihen mbi vizitat 2-3 javore të viteve të fundit në Shqipëri të Aleksandër Sorosit. Se cili ka qenë motivi i tyre, por këto vizita me avion në dispozicion dhe fluturime, kanë pa asnjë diskutim dyshime të mëdha,” deklaroi Berisha.
Reagimi i Berishës vjen pasi Donald Trump, në një postim në platformën Truth Social, paralajmëroi veprime ligjore ndaj George Soros dhe të birit, duke i cilësuar si “rrezik për sigurinë dhe stabilitetin amerikan”, në kuadër të akuzave bazuar në aktin RICO.