Vendosni fjalën kyçe....

Rama njofton krijimin e Operatorit Kombëtar të Trajtimit të Mbetjeve: Nuk do të jetë më proces i administruar nga bashkitë


Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në aktivitetin e Reformës për Trajtimin e Integruar të Mbetjeve, ku prezantoi një plan të ri masash ligjore dhe investimesh, të cilin e cilësoi si domosdoshmëri në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Rama tha se, pavarësisht përmirësimeve në pastrimin e territorit, mungon ende vetëdijësimi qytetar për mbajtjen pastër dhe trajtimin e mbetjeve, ndaj paketa e re e reformave synon rritjen e standardeve dhe përmbushjen e kritereve europiane.

“Dëshiroj që të gjithë pa përjashtim, në të gjitha nivelet dhe territorin që kanë një funksion publik si të zgjedhur apo nënpunës të lidhur me çështjet e mjedisit të vetëdijësohen se ky është kapitulli më sfidues i negociatave dhe aspekti më sfidues i anëtarësimit tonë në BE.

E them me keqardhje që ndërkohë që kemi vënë re një përmirësim të mëtejshem të gjithë proceseve të pastrimit, nuk vëmë re asnjë vetëdijësim më domethënës nga ana e qytetarëve në raport me mbajtjen pastër të territorit dhe nuk vë re përmirësime domethënëse as në trajtimin e mbetjeve.

Në këto kushte, duke marrë parasysh edhe vështirësitë, duke parë edhe vendet e tjera, ne do të çojmë përpara një paketë të re reformash e masash, të cilat ministrja do t’i shpjegojë më në detaje por dua të them se së pari, është projektligji i ri për menaxhimin e integruar të mbetejeve, ku kemi parashikuar krijimin e Operatorit Kombëtar të Trajtimit të Mbetjeve.

Një agjenci e re e cila do të jetë në dispozicion të të gjithë republikës, të pushtetit vendor, qytetarëve, të këtij misioni për në BE, duke përqendruar të gjithë procesin e trajtimit të mbetjeve.

Nuk do të jetë më proces i administruar nga bashkitë, por nga ky operator kombëtar në bashkëpunim me të gjitha hallkat e tjera të qeverisjes dhe në raport me te cilin, bashkitë do të jenë klientë, njësoj siç janë në operatorët e tjerë”