
Asociacioni i Gazetarëve Shqiptarë (AGSH) ka reaguar ashpër ndaj një fushate dezinformimi në rrjetet sociale, duke denoncuar hapjen e një faqeje false që pretendon të përfaqësojë qëndrimet e tyre për sulmin ndaj News24.
Në një deklaratë zyrtare, Bordi i AGSH-së thekson se profili është i rremë dhe se nuk ka pasur asnjë kundërshtim nga anëtarët për qëndrimin e organizatës në mbrojtje të gazetarëve të News24 dhe mediave të tjera të grupit, të cilat po përballen me veprime arbitrare shtetërore.
AGSH e cilëson këtë veprim si një përpjekje për të dekurajuar përkrahjen ndaj kolegëve dhe njofton se faqja false do të ndiqet ligjërisht.
Postimi i plotë:
SQARIM I DETYRUESHËM
Pozicionimi i AGSH në mbrojtje të interesave të gazetarëve të News 24 dhe mediat e tjera të grupit që po përballen me sjellje arbitrare shtetërore, po shoqërohet me një sulm banal në rrjetet sociale kundër Asociacionit.
Bordi i AGSH deklaron se ky është një profil fals, dhe se asnjë pjesë e anëtarësisë sot nuk ka pasur kundërshtime për qasjen e drejtuesve të AGSH.
Bordi hedh poshtë këto shpifje që synojnë të dekurajojnë përkrahjen tonë të drejtë në mbrojtje të kolegëve.
Veprimet e përfaqësuesve tanë gëzojnë mbështetjen e plotë të Bordit si dhe nuk kemi pasur asnjë mëdyshje nga anëtarët tanë.
Faqja false e hapur do të trajtohet ligjërisht.
Me respekt, anëtarët e Bordit
Isa Myzyraj
Esiona Konomi
Klesiana Omeri
Fjori Sinorukaj
Juxhin Mustafaraj
Osman Stafa
Renaldo Salianji