
Lëvizja Vetëvendosje e quajti vendimin arbitrar, Partia Demokratike e Kosovës, dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e cilësuan fitore kushtetuese e demokratike, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës foli për rrëzimin e diktatit.
Këto ishin reagimet e para ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila të premten vendosi që deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet ta zgjedhin kryetarin e ri përmes votimit të hapur, ndërsa i njëjti kandidat mund të votohet vetëm deri në tri herë. Sipas Kushtetueses, konstituimi i Kuvendit duhet të përfundojë brenda 30 ditësh.
Partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), deri më tani ka propozuar vetëm Albulena Haxhiun për postin e të parës së Kuvendit, teksa edhe pas aktgjykimit paraprak të Kushtetueses, kishte argumentuar se ajo mund të zgjidhej përmes votimit të fshehtë.
Hekuran Murati, deputet i LVV-së, njëherësh ministër në detyrë i Financave, e cilësoi si të padrejtë vendimin e Kushtetueses.
Ai tha se në aktgjykimin e vitit 2014, Kushtetuesja “për ta mbajtur PDK-në me çdo kusht në pushtet”, vendosi se Qeveria nuk mund të formohej pa fituesin e zgjedhjeve dhe kryekuvendari i takonte vetëm partisë së parë. Ndërkaq, kësaj radhe Kushtetuesja “thotë se vetëm votimi i hapur është i vlefshëm, dhe madje vendos edhe kufizim në vetëm 3 tentime, sepse fituesja është Lëvizja Vetëvendosje”.
“Kjo e fakton padyshim se vendimet e kësaj Gjykate nuk bazohen në Kushtetutë, por bazohen në atë se cila parti është në pyetje. Kjo nuk është drejtësi. Ky është arbitraritet klientelist, që synim ka t’ua sigurojë gardës së vjetër në tavolinë, atë çfarë nuk ua dha populli me votë”, shkroi ai në Facebook.
Saranda Bogujevci, deputete e LVV-së, tha se “demokracia përfaqësuese u anulua në Kosovë dhe nuk vlen më”./REL