
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi kërkesën e një të tretës së deputetëve për shfuqizimin e ligjit për zonat e mbrojtura, përmes një ndarjeje votash 4 pro dhe 4 kundër, e cila solli pamundësinë për të marrë një vendim përfundimtar.
Në një postim në rrjetet sociale, Zhupa e cilëson këtë praktikë si një “dredhi” të Gjykatës për të mos marrë përgjegjësi dhe si një shkelje të standardeve evropiane të drejtësisë. Ajo nënvizon se një vendim i tillë cenon sigurinë juridike dhe të drejtën për një vendim të qartë dhe të arsyetuar, duke iu referuar dhe një çështjeje të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut (Marini kundër Shqipërisë, 2007), ku theksohet se ndarja e votave në mënyrë të barabartë nuk garanton një proces të drejtë.
“Kjo është një fatkeqësi për vendin, që lë në fuqi një ligj antikushtetues, dhe një dështim i thellë për Gjykatën Kushtetuese,” shkruan Zhupa, duke paralajmëruar se beteja për mbrojtjen e zonave të mbrojtura do të vijojë në Gjykatën e Strasburgut.
Ajo falënderoi gjithashtu organizatat mjedisore për kontributin në proces dhe avokatët Marash Logu dhe Franci Nuri për përfaqësimin ligjor.
“Nga sot nuk kemi më zona të mbrojtura,” thekson Zhupa, duke shtuar se kjo çështje nuk është vetëm juridike, por edhe morale dhe brezash.